
Rreth 287 kandidatë do të merren në shqyrtim për çmimin Nobel për Paqe për vitin 2026, dhe Presidenti amerikan Donald Trump pritet të jetë ndër të nominuarit. Sipas sekretarit të Komitetit Norvegjez të Nobelit, Kristian Berg, 208 individë dhe 79 organizata, do të jenë në listën e të nominuarve, shkruan A2CNN.
Megjithëse numri i konflikteve në botë është në rritje dhe bashkëpunimi ndërkombëtar është nën presion, çmimi mbetet i rëndësishëm, pohoi ai. Udhëheqësit e Kamboxhias, Izraelit dhe Pakistanit kanë thënë se e kanë nominuar Trump për çmimin e këtij viti.
Nuk ka mënyrë për të verifikuar nëse këto pretendime janë të vërteta, pasi nominimet mbeten sekrete për 50 vjet dhe komiteti i Nobelit refuzoi të thoshte të enjten nëse Trump është nominuar apo jo.
Përveç anëtarëve të komitetit, mijëra persona në mbarë botën kanë të drejtë të propozojnë kandidatë, përfshirë anëtarë të qeverive, krerë aktualë shtetesh e profesorë. Mes emrave të përfolur për këtë vit është edhe Yulia Navalnaya, bashkëshortja e liderit të ndjerë opozitar rus Alexei Navalny dhe Papa Leoni. (A2 Televizion)