“Misioni Meloni, një shans për një urë BE-SHBA", Von der Leyen telefonon kryeministren italiane

Nga A2 CNN
18 Prill 2025, 17:10 | Bota

“Misioni Meloni, një shans për një urë BE-SHBA",

Misioni i Giorgia Melonit në Uashington ka përcjellë ndjenja pozitive në mesin e drejtuesve të lartë të Komisionit Evropian. Kjo raportohet nga Ansa, duke cituar burime në Bruksel.

Takimi i Shtëpisë së Bardhë, thonë të njëjtat burime për mediat italiane, ishte "një mundësi e dobishme për të krijuar ura të mëtejshme me administratën Trump  duke respektuar rolet e ndryshme, siç ka deklaruar tashmë vetë Meloni".

Burimet shtojnë se kontaktet mes Komisionit dhe SHBA-së do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në nivel teknik.

Më herët presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministren Giorgia Meloni pas misionit të kryeministres italiane në Shtëpinë e Bardhë.

Takimi, sipas asaj që u raportua nga një zëdhënëse e ekzekutivit të BE-së, ishte pozitiv.

Meloni dhe Von der Leyen kishin rënë dakord të qëndronin në kontakt para dhe pas takimit dypalësh mes kryeministres italiane dhe presidentit amerikan Donald Trump, duke koordinuar vizitën në kuadër të negociatave mes BE-së dhe Shteteve të Bashkuara për tarifat.

Mediat italiane bëjnë të ditur se burime nga ekzekutivi i BE-së sqarojnë që takimi në Shtëpinë e Bardhë u vlerësua pozitivisht në Bruksel dhe në përputhje me atë që ishte rënë dakord një ditë më parë nga Meloni dhe Von der Leyen.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos