
Dita e Falënderimeve në Shtetet e Bashkuara është periudha më e ngarkuar për udhëtime. Këtë vit, rrugët dhe aeroportet, pritet që tu mundësojnë 82 milionë amerikanëve që të lëvizin për të festuar apo vizituar familjet e tyre.
Kjo përbën 1.6 milionë udhëtarë më shumë krahasuar me vitin e kaluar, dhe një rekord absolut për në SHBA. Florida është destinacioni më i preferuar për shkak të motit dhe të parqeve të argëtimit. Në këtë festë të rëndësishme, amerikanët kanë dhe një problem tjetër përveç trafikut: ka një mungesë të theksuar gjelash deti.
Sipas Byrosë Federale të Fermerëve Amerikanë, vlerësohet se këtë vit janë vetëm 195 milionë zogj, niveli më i ulët në 4 dekada. Kjo vjen për shkak të sëmundjeve që kanë prekur gjelat e detit. Për këtë arsye, pritet që çmimi të jetë më i lartë. (A2 Televizion)
