Ka shkuar në 21 numri i viktimave të Ukrainës si pasojë e sulmeve të fundit ruse. Sulmi ka ndodhur duke përdorur raketa balistike dhe dronë të fuqishëm. Në një reagim të tijën Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, tha se interceptorët e munguar nga Shtetet e Bashkuara "mund të kishin shpëtuar jetë".
Ukraina, e cila vazhdimisht u ka kërkuar aleatëve më shumë interceptorë raketash Patriot të prodhuar në SHBA për t'u mbrojtur kundër raketave balistike ruse, nuk ka raportuar të ketë interceptuar asnjë nga raketat në sulmin e natës.
Zelensky shtoi se vonesat në marrjen e sistemeve anti-balistike nga partnerët çojnë në "viktima dhe shkatërrime të tmerrshme". Presidenti më vonë theksoi se furnizimi me interceptorë nga aleatët ishte "zvogëluar ndjeshëm" këtë vit.
Në një reagim të sajën Ministria e mbrojtjes e Rusisë tha se kishte goditur qendrat logjistike dhe qendrat e furnizimit në Kiev dhe rajonin përreth. "Këto qendra ishin të përfshira në ruajtjen, shpërndarjen e armëve të ndryshme dhe furnizimeve ushtarake, si dhe në prodhimin dhe shpërndarjen e mjeteve ajrore pa pilot", tha ajo. Gjithashtu tha se kishte goditur tre anije mallrash "të cilat po transportonin armë dhe pajisje ushtarake" pranë portit të Odesës në Detin e Zi.
Ndërkohë alarmi është rritur në Gjermani. Një avion mallrash i DHL zbuloi një objekt të panjohur ndërsa po largohej nga aeroporti i Leipzig në Gjermaninë lindore gjatë natës të së mërkurës, duke shkaktuar një ulje të paplanifikuar në Hanover, tha një burim i njohur me incidentin për Reuters të mërkurën.
Autoritetet thanë se po hetonin një dron të gjetur pranë një piste në aeroport gjatë natës, i cili sipas gazetës Bild përmbante një detonator.
Disa avionë, përfshirë një fluturim pasagjerësh, u devijuan gjatë natës, por operacionet u rikthyen në normalitet në mëngjes, tha zëdhënësi.
Aeroportet gjermane janë në gatishmëri të lartë pas një serie fluturimesh të paautorizuara me dronë në vende duke përfshirë objekte ushtarake, terminale energjie, porte detare dhe kompani logjistike. Policia federale ka thënë se fluturimet mund të jenë organizuar nga agjentë rusë.
Bild raportoi se një dron me një pajisje shpërthyese ishte gjetur në afërsi të një aeroplani mallrash ukrainas Antonov pak para mesnatës së të martës. Linja ajrore ka përdorur Leipzig/Halle si bazë operative që nga pushtimi në shkallë të plotë i Rusisë në vitin 2022. Imazhe me rreze X zbuluan një detonator brenda, por ai ishte i dëmtuar, sipas Bild.
Agjencitë evropiane të sigurisë kanë hetuar një seri pajisjesh ndezëse të fshehura në pako që u ndezën në vitin 2024, duke ngritur shqetësime në lidhje me sabotimin e operatorëve të ngarkesave ajrore. (A2 Televizion)