
Një influencer meksikan, César Gastélum, është qëlluar për vdekje ndërsa po transmetonte drejtpërdrejt në TikTok. Gastélum po filmonte me dy miq jashtë një restoranti të ushqimit të shpejtë në "Tres Ríos", në qytetin verior të Culiacán, të martën në mbrëmje kur dy burra me motoçikletë iu afruan dhe njëri prej tyre e qëlloi nga afër.
Ai kishte më shumë se gjysmë milioni ndjekës në TikTok dhe ngarkonte kryesisht video humoristike. Nuk është hera e parë që një influencer i rrjeteve sociale vritet në Meksikë. Vitin e kaluar, 23-vjeçarja Valeria Márquez u qëllua për vdekje në një sallon bukurie ndërsa po transmetonte drejtpërdrejt në TikTok.
Në transmetimin e drejtpërdrejtë, Gastélum dhe miqtë e tij mbanin veshje të ngjashme me ato të shoferëve delivery. Mediat lokale raportuan se veshjet e tyre fillimisht e bënë policinë të besonte se viktima ishte një shofer shpërndarjeje, por zyrtarët u njoftuan më vonë për identitetin e tij.
Policia dhe ekspertët mjeko-ligjorë kanë rrethuar zonën dhe po shqyrtojnë gëzhojat dhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë për çdo të dhënë. Deri më tani nuk ka pasur arrestime dhe dy personat në motoçikletë janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Nuk është ende e qartë nëse Gastélum ka marrë ndonjë kërcënim. Në llogarinë e tij në Instagram ai shpesh ndante fotografi nga udhëtimet, ose duke pozuar para makinave luksoze.
(A2 Televizion)