Në fillim i mbanin si kafshë shtëpiake, pastaj nisën të vrisnin macet e njëri-tjetrit... Brenda burgut në ishull, ku askush nuk arratiset dot

Nga A2 CNN
5 Gusht 2026, 18:26 | Bota

Në fillim i mbanin si kafshë shtëpiake, pastaj nisën të

Burgu i Belene, në veri të Bullgarisë, në kufi me Rumaninë, është një nga institucionet më të rrepta të vuajtjes së dënimit në vend. I ndodhur në një ishull, arratisja prej tij konsiderohet pothuajse e pamundur. Pikërisht aty, një aktor dhe prezantues i njohur bullgar kaloi një vit për të dokumentuar jetën e të burgosurve dhe për të kuptuar se si nis rruga drejt krimit.

Burgu i Belene ndodhet në një ishull në lumin Danub dhe konsiderohet një prej burgjeve më të ruajtura në Bullgari. Ai strehon edhe numrin më të madh të të dënuarve me burgim të përjetshëm për vrasje në vend.

Por pas mureve dhe masave të forta të sigurisë, fotografi dhe prezantuesi bullgar Vladimir Karamazov zbuloi një botë krejt tjetër. Një botë ku rregullat, gjuha dhe madje edhe mënyra e përdorimit të parave ndryshojnë. Në burg, sipas rrëfimit të tij, cigaret përdoren si monedhë.

Në fillim i mbanin si kafshë shtëpiake, pastaj nisën të

Ai kaloi një periudhë të gjatë në Belene, duke jetuar përditshmërinë e të burgosurve, duke biseduar me ta dhe duke fotografuar jetën e tyre. Projekti i tij, i titulluar “For the Grace of God”, synon të tregojë jo krimet e kryera, por historitë njerëzore dhe rrethanat që mund të kenë çuar drejt tyre.

Një nga aspektet më të dhimbshme që ai dokumentoi lidhet me kafshët dhe lulet, përcjell A2 CNN. Në ishull ka shumë mace endacake, ndërsa të burgosurit dikur merrnin kotele dhe i mbanin si kafshë shtëpiake. Por kjo praktikë u kthye në problem. Sipas tij, disa të burgosur vrisnin kafshët e të tjerëve si formë hakmarrjeje ose ndëshkimi.

E njëjta gjë ndodhte edhe me lulet. Disa të burgosur i mbillnin, kujdeseshin për to dhe i shihnin si një lloj shoqërie. Më pas, të tjerë i shkatërronin. Për këtë arsye, lidhjet me kafshët dhe bimët janë kufizuar.

Ideja që qëndron pas kësaj është veçanërisht e rëndë, çdo gjë me të cilën një i burgosur krijon një lidhje emocionale mund të shndërrohet në një pikë dobësie.

Gjatë bisedave me të burgosurit, aktori thotë se arriti në një përfundim të rëndësishëm, rrënjët e historive të tyre shpesh gjenden shumë përpara krimit. Sipas tij, shumica dërrmuese e të dënuarve me të cilët foli ishin rritur në familje ku kishte mungesë dashurie, varfëri ose dhunë.

“Diçka ishte thyer”, përshkruan ai, duke argumentuar se problemi nuk lidhet vetëm me individët, por edhe me shoqërinë që i rrethon.

Ai thotë se në fillim kishte frikë veçanërisht nga të burgosurit e dënuar me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi. Mendonte se këta persona nuk kishin më asgjë për të humbur.

Në fillim i mbanin si kafshë shtëpiake, pastaj nisën të

Një prej tyre ishte Milchu. Në ditët e para, ai i kërkoi drejtorit të burgut ta paralajmëronte nëse ndonjë prej këtyre të dënuarve ndodhej pranë tij. Më pas, kur u njoh me Milchun, i kërkoi të njëjtën gjë.

Por pas dy ditësh, Milchu i tregoi të vërtetën. “Jam një prej tyre. Kam një dënim 26-vjeçar pa mundësi lirimi”.

Rrëfimi e tronditi. Aktori tregon se atë natë nuk mundi të flinte. “A mund të jesh mik me një vrasës?”, tregon ai. Kjo është një prej pyetjeve që qëndron në qendër të projektit. Përgjigjja e tij, pas dy vitesh nga nisja e kësaj eksperience, është e drejtpërdrejtë, “Po!”.

Tre muajt e parë, rrëfen ai, ishin shumë të vështirë dhe shoqëroheshin me makthe. Por ai vendosi të mos i përdorte fotografitë për të shpjeguar krimet e tyre. Në vend të kësaj, dëshironte të ngrinte pyetje mbi mënyrën se si nis një jetë kriminale, pa i gjykuar njerëzit përmes imazheve.

Në fillim i mbanin si kafshë shtëpiake, pastaj nisën të

Sot, ai thotë se është mik me tre të burgosur të dënuar pa mundësi lirimi.

Projekti “For the Grace of God” u prezantua edhe në Galerinë Kombëtare në Sofje. Sipas autorit, reagimi i publikut ishte i fortë, shumë njerëz qanë, pasi për herë të parë i panë të burgosurit jo vetëm si autorë të krimeve, por si qenie njerëzore.

Mesazhi që ai kërkon të përcjellë është se të gjithë njerëzit kanë të njëjtën vlerë njerëzore, edhe pse jo të gjithë kanë pasur të njëjtat mundësi për të ndërtuar një jetë të mirë. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos