
Një 11-vjeçar në shtetin amerikan të Alabamës përfundoi në urgjencë pasi preku një kartëmonedhë njëdollarëshe të kontaminuar me metamfetaminë. Ngjarja ndodhi në qytetin Daphne, shkruan A2 CNN.
Sipas policisë, nëna e djalit telefonoi autoritetet pasi i biri gjeti një kartëmonedhë të palosur, brenda së cilës ndodhej një substancë e bardhë. Ajo e dërgoi menjëherë fëmijën në spital për kontrolle mjekësore. Policia bëri të ditur se analizat konfirmuan se substanca ishte metamfetaminë.
Megjithatë, testet treguan se djali, nëna e tij dhe motra nuk kishin qenë të ekspozuar ndaj lëndës narkotike. Hetuesit po punojnë për të identifikuar personin që la kartëmonedhën e kontaminuar. (A2 Televizion)