Në tryezë programi bërthamor, presidenti iranian urdhëron nisjen e negociatave me SHBA

Nga Xhevahir Qardaku
2 Shkurt 2026, 19:57 | Bota

Në tryezë programi bërthamor, presidenti iranian urdhëron

Irani ul armët përballë fuqisë ushtarake Amerikane. Presidenti Masoud Pezeshkian ka urdhëruar nisjen e negociatave me Shtetet e Bashkuara brenda kuadrit të çështjes bërthamore. Kështu raporton agjencia iraniane e lajmeve Fars, duke cituar një burim qeveritar të paidentifikuar.

Kjo media shton më tej se bisedimet mes Iranit dhe SHBA-ve me gjasë do të mbahen në Turqi në ditët në vijim. Ndërkohë, të njëjtën gjë e raportoi edhe agjencia tjetër iraniane e lajmeve Tasnim, duke cituar një burim.

Negociatat, me gjasë, do të zhvillohen mes ministrit të Jashtëm iranian Seyed Abbas Araghchi dhe të dërguarit të posaçëm të Presidentit të SHBA Donald Trump, Steve Witkoff, raportoi kjo media. Zhvillimet vijnë në një kohë kur tensionet mes Teheranit dhe Uashingtonit mbeten të larta, mes rritjes së aktivitetit ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme.

Administrata e Trump dislokoi një grup sulmues aeroplanmbajtësesh dhe disa anije luftarake në Lindjen e Mesme në fund të janarit.

Së fundmi Trump tha se nëse Teherani dështon të arrijë një marrëveshje bërthamore me Uashingtonin, “do ta shohim” nëse Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, kishte të drejtë të paralajmëronte se një sulm amerikan mund të ndizte një luftë rajonale.

Në një intervistë për CNN, Araghchi tha se një marrëveshje bërthamore “e drejtë, e ndershme dhe e barabartë” me Shtetet e Bashkuara mbetet e arritshme në afat të shkurtër, me kusht që Uashingtoni të heqë dorë nga politika e tij e shtrëngimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos