“Netanjahu do bëjë si them unë!” Trump përplaset fort në telefon me liderin izraelit për luftën

Nga Xhevahir Qardaku
21 Maj 2026, 10:41 | Bota

Krisje e fortë mes Amerikës dhe Izraelit. Një zyrtar në Shtetet e Bashkuara thotë se Presidenti Donald Trump dhe kryeministri hebre Benjamin Netanyahu patën një bisedë telefonike të tensionuar për shkak të pikëpamjeve të ndryshme mbi të ardhmen e luftës në Iran, sipas asaj që raporton CNN. Sipas zyrtarit, dy liderët folën të dielën, kur Trump ndau idenë se kishte gjasa të vazhdonte me sulme të reja të targetuara në Iran, raporton A2 CNN.

Megjithatë, rreth 24 orë më vonë, ai tha se po ndalte sulmet me kërkesë të aleatëve në Gjirin Persik. Zyrtari shton se Trump dhe Netanyahu folën sërish të martën për një orë. Gjatë asaj bisede, Netanyahu tha se besonte se shtyrja e sulmeve ishte një gabim. Një burim izraelit thotë gjithashtu se Netanyahu kërkoi rifillimin e veprimeve ushtarake. Trump u pyet për këtë bisedë dhe kjo ishte ajo që presidenti konfirmoi.

“Ai do të bëjë çfarëdo që unë dua që ai të bëjë. Është një njeri shumë i mirë. Do të bëjë çfarëdo që unë dua që ai të bëjë dhe është një djalë i shkëlqyer. Për mua, ai është një djalë i shkëlqyer”, deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë, përcjell A2 CNN.

Presidenti amerikan nënvizoi se negociatat me Iranin janë në fazën përfundimtare, ndërsa ripërsëriti paralajmërimin se do të ketë sulme të tjera nëse Irani nuk pranon një marrëveshje.

“Jemi pikërisht në kufi, më besoni. Nëse nuk marrim përgjigjet e duhura, gjithçka mund të përshkallëzohet shumë shpejt. Ne jemi gati për gjithçka. Duhet të marrim përgjigjet e duhura. Duhet të jenë përgjigje plotësisht të sakta, 100 për qind të mira, dhe nëse i marrim, kursejmë shumë kohë, energji dhe mbi të gjitha jetë njerëzish. Gjithçka mund të ndodhë shumë shpejt, ose brenda pak ditësh. Mund të duhen disa ditë, por mund të ndodhë shumë shpejt”, tha Trump, shkruan A2 CNN.

Ndërkohë, në kampin tjetër, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha se ekipi i tij ishte i përgatitur si për të negociuar ashtu edhe për të luftuar nëse është e nevojshme. Ai nënvizoi se përpjekjet diplomatike të Ministrisë së Jashtme të Iranit do të ndiqen në koordinim të ngushtë me komandantët ushtarakë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos