
Nga Dubai në Dublin, Daniel Kinahan ekstradohet në IrlandëDaniel Kinahan, 49 vjeç, i dyshuar nga autoritetet si një prej figurave kryesore të një rrjeti të fuqishëm kriminal ndërkombëtar, është ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Irlandës.
Avioni qeveritar irlandez që transportonte Kinahanin u ul në Casement Aerodrome, në Baldonnell, në jugperëndim të Dublinit, nën masa të forta sigurie.
Kinahan ishte arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe në muajin prill, ndërsa ekstradimi i tij është zhvilluar përmes një operacioni të posaçëm sigurie. Autoritetet irlandeze kishin marrë masa të veçanta për transportin dhe sistemimin e tij në burg, për shkak të profilit të lartë të çështjes.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit të Mbretërisë së Bashkuar, rrjeti kriminal Kinahan dyshohet se është përfshirë për më shumë se dy dekada në trafikimin e sasive të mëdha të drogës dhe armëve në vende të ndryshme.
Kinahan pritet të përballet me akuza zyrtare në Irlandë dhe më pas me Gjykatën Speciale Penale, e cila shqyrton raste të rënda të krimit të organizuar.
Kryeministri irlandez Micheál Martin ka vlerësuar bashkëpunimin mes autoriteteve të Irlandës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar, duke shmangur komentet mbi çështjen konkrete për të mos ndikuar në procesin gjyqësor.
Ndërkohë, avokati i Kinahan ka mohuar më herët pretendimet se klienti i tij është drejtues i një organizate kriminale.
Përgjegjësia e Kinahanit për çdo akuzë që mund t’i ngrihet do të përcaktohet nga procesi gjyqësor në Irlandë. (A2 Televizion)