
Dy dronë janë parë mbi një bazë ushtarake në Mechernich, në perëndim të Gjermanisë, vetëm pak ditë pasi një pajisje e mbushur me eksploziv u gjet në aeroportin Leipzig/Halle.
Bundeswehr ka konfirmuar se dronët u diktuan të enjten në mbrëmje mbi bazën, e cila ndodhet pranë Bonit dhe ku, sipas mediave gjermane, ruhen pajisje dhe pjesë rezervë për mirëmbajtjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore Patriot, të prodhuara në SHBA.
Pas konstatimit të dronëve, në bazë u vendos policia ushtarake gjermane, përpara se çështja t'i kalonte policisë lokale për hetim.
Autoritetet gjermane nuk kanë dhënë ende të dhëna për origjinën e dronëve dhe nuk kanë konfirmuar nëse incidenti ka lidhje me rastin e regjistruar në aeroportin Leipzig/Halle.
Gjermania po heton aktualisht një incident në aeroportin Leipzig/Halle, ku një dron i pajisur me eksploziv kishte arritur në një pistë të aeroportit, i cili përdoret edhe nga NATO dhe ushtria gjermane, si dhe shërben si bazë për kompaninë ajrore ukrainase Antonov.
Bundeswehr ka refuzuar të komentojë nëse dy dronët e parë mbi Mechernich mund të kenë lidhje me incidentin në Leipzig. (A2 Televizion)