Shtetet e Bashkuara dhe Irani pritet të zhvillojnë bisedime paqeje në Pakistan, vend i cili ka ndërmjetësuar procesin. Por palët mbeten thellësisht të ndara për çështje kyçe, edhe pse Presidenti Donald Trump ka thënë se propozimet e paraqitura nga Teherani janë një “bazë” për bisedime.
Secila palë mban qëndrime të kundërta për një marrëveshje që do t’i japë fund luftës. Çështje kryesore mbeten qasja e transportit detar në Ngushticën e Hormuzit dhe lufta e Izraelit në Liban. Mënyra se si do të ecin këto bisedime mund të formësojë Lindjen e Mesme për breza të tërë.
Donald Trump: “Bazuar në bisedat me udhëheqësit pakistanez, të cilët kërkuan që unë të ndaloj forcën shkatërruese që ishte planifikuar të përdorej sonte kundër Iranit, dhe me kusht që Republika Islamike e Iranit të pranojë hapjen e plotë, të menjëhershme dhe të sigurt të Ngushticës së Hormuzit, unë bie dakord të pezulloj bombardimet dhe sulmet ndaj Iranit për një periudhë prej dy javësh. Ky do të jetë një ARMËPUSHIM i dyanshëm!
Arsyeja për këtë është se ne tashmë i kemi arritur dhe tejkaluar të gjitha objektivat ushtarake, dhe jemi shumë afër një marrëveshjeje përfundimtare për paqe afatgjatë me Iranin dhe paqe në Lindjen e Mesme. Ne kemi marrë një propozim me 10 pika nga Irani dhe besojmë se është një bazë e realizueshme për negociata. Pothuajse të gjitha pikat e ndryshme të mosmarrëveshjeve të mëparshme janë rënë dakord mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, por një periudhë dyjavore do të lejojë që marrëveshja të finalizohet dhe të përmbyllet.”
Por çfarë qëndrimesh kanë të dyja palët?
Një delegacion iranian pritet të mbërrijë në Islamabad për bisedime të bazuara në një propozim me 10 pika, i cili ka shumë pak përputhje me planin me 15 pika që Uashingtoni kishte paraqitur më parë, duke treguar se ka boshllëqe të mëdha për t’u kapërcyer.
Për shembull, propozimi i Iranit përfshin kërkesën për pasurimin e uraniumit, gjë që Uashingtoni e ka refuzuar më herët dhe që Trump e ka quajtur të panegociueshme. Po ashtu, 10 pikat nuk trajtojnë kapacitetet raketore të Iranit, të cilat SHBA dhe Izraeli kanë thënë se duhet të kufizohen ndjeshëm. Teherani ka deklaruar se arsenali i tij i fuqishëm raketor është i panegociueshëm, megjithëse nuk është e qartë sa prej këtyre armëve kanë mbetur pas luftës.
Një zyrtar pakistanez në rajon tha se Irani mund të arrijë të sigurojë shumë nga kërkesat e tij, veçanërisht në rindërtim, dëmshpërblime dhe lehtësim sanksionesh, por jo një marrëveshje për pasurimin e uraniumit.
Dr. Burcu Ozcelik shprehet: "Ideja e propozuar nga Irani sugjeron që të gjitha sanksionet, si ato primare ashtu edhe ato sekondare, do të hiqen, që Iranit do t’i paguhet dëmshpërblim për dëmet e luftës, dhe se SHBA në thelb ka rënë dakord t’i lejojë Iranit pasurimin e uraniumit, si dhe që Irani do të vazhdojë të mbajë kontroll sovran mbi Ngushticën e Hormuzit
Është shumë e vështirë në këtë fazë kaq të hershme të përcaktohet me siguri se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo. Ky është një kuadër parimesh. Por mendoj se ajo për të cilën të dyja palët kanë rënë dakord në të vërtetë është thjesht të ulen bashkë në Pakistan për të diskutuar dallimet e tyre dhe për të gjetur një rrugë përpara gjatë dy javëve të ardhshme".
Bisedimet e mëparshme janë fokusuar te programi bërthamor dhe raketat e Iranit. Tani këto çështje janë lënë në hije nga fati i Ngushticës së Hormuzit, një pikë strategjike ku kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit të lëngshëm në botë. Mbyllja efektive e kësaj rruge detare nga Irani që nga fillimi i luftës më 28 shkurt ka tronditur ekonominë globale dhe ka rritur çmimet e naftës.
Teherani ka sinjalizuar se, në një marrëveshje paqeje të përhershme, do të kërkojë të vendosë tarifë për anijet që kalojnë nëpër këtë ngushticë, e cila në pikën më të ngushtë është vetëm 34 km e gjerë. Trump ka kërcënuar se do ta shkatërrojë Iranin nëse nuk pranon një marrëveshje armëpushimi dhe rihapjen e ngushticës. Nuk ka shenja që Irani ka hequr bllokadën, e cila ka shkaktuar ndërprerjen më të madhe në historinë e furnizimit global me energji. Teherani ka thënë se nuk do të ketë marrëveshje për sa kohë Izraeli vazhdon sulmet në Liban.
Dr. Burcu Ozcelik thotë: “Presidenti i SHBA-së, Trump, e ka bërë të qartë se pret heqjen e menjëhershme të kufizimeve nga Irani për kalimin e sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit. Propozimi iranian, në të kundërt, sugjeron se kalimi i sigurt do të varet nga një negociatë ose nga një lloj procesi koordinimi me ushtrinë iraniane ose me Gardën Revolucionare të Iranit. Pra, ekziston tashmë një dallim në lidhje me atë se çfarë do të thotë në praktikë “kalim i sigurt”. Trump duket se pret një kalim të menjëhershëm dhe të qartë, ndërsa Irani duket se po vendos disa kushte, ose të paktën dëshiron të veprojë brenda disa parametrave gjatë dy javëve të ardhshme.”
Por si krahasohen planet 10-pikëshe dhe 15-pikëshe?
Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare i Iranit deklaroi se SHBA ka rënë dakord në parim me planin 10-pikësh të Iranit, i cili përfshin: mosagresionin; kontrollin evazhdueshëm iranian mbi Ngushticën e Hormuzit; pranimin e pasurimit të uraniumit; heqjen e të gjitha sanksioneve; anulimin e rezolutave të OKB-së dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike; tërheqjen e forcave amerikane nga rajoni; dhe ndalimin e luftës në të gjitha frontet, përfshirë Libanin.
Sipas burimeve izraelite, propozimi 15-pikësh i Trump kërkonte: heqjen e rezervave të uraniumit të pasuruar të Iranit, ndalimin e pasurimit, kufizimin e programit raketor balistik dhe ndërprerjen e financimit për aleatët rajonalë.
Ndërkohë që palët përgatiten për negociata, Trump është zotuar të mbajë forcat ushtarake në Lindjen e Mesme deri në arritjen e një marrëveshjeje dhe ka paralajmëruar për përshkallëzim të madh nëse nuk arrihet.
“Unë mendoj se kjo do të varet shumë nga mënyra se si Teherani e koncepton pretendimin e tij të vazhdueshëm mbi Ngushticën e Hormuzit. Ka indikacione që zyrtarët iranianë duan të vendosin një taksë, duke u kërkuar anijeve deri në 2 milionë dollarë për kalim. Kjo është shifra që është raportuar për kalim të sigurt. Dhe ky është një proces i negociuar dhe i zgjatur, siç është përshkruar. Nuk e dimë, për shkak të mungesës së transparencës së plotë, se sa është paguar deri tani Irani gjatë luftës apo si kanë qenë realisht këto negociata. Gjithashtu, nuk e dimë se sa shpejt, apo në çfarë kushtesh dhe termash, Irani do të jetë i gatshëm të heqë dorë nga kontrolli i tij mbi Ngushticën e Hormuzit. Pra, aktualisht ndodhemi shumë në një gjendje pasigurie.”
Edhe pse Trump ka shpallur fitore, SHBA nuk ka arritur objektivat fillestare të luftës: eliminimin e aftësisë së Iranit për të sulmuar fqinjët, shkatërrimin e programit bërthamor dhe krijimin e kushteve për ndryshim regjimi. Irani nuk pritet të bëjë lëshime të mëdha në këto pika dhe ka sinjalizuar se mund të vazhdojë luftën për një kohë të gjatë, duke përdorur Ngushticën e Hormuzit si levë ekonomike kundër një armiku më të fuqishëm ushtarakisht.
Edhe gjuha që përdoret për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit është problematike, sepse tregon shumë qartë një dobësi strategjike që Shtetet e Bashkuara kanë krijuar. Kanë krijuar një problem që tani duhet ta zgjidhin. Ngushtica e Hormuzit ishte e hapur përpara se të fillonte fushata SHBA–Izrael më 28 shkurt. Tani ajo është e mbyllur ose pjesërisht e bllokuar, sepse Irani ishte në gjendje të pengonte shpejt dhe në mënyrë efektive kalimin e sigurt dhe lirinë e lundrimit nëpër ngushticë. Prandaj, rikthimi në atë gjendje fillestare, pra rihapja e ngushticës, do të ishte një tregues i pamjaftueshëm i suksesit nga këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara.
Izraeli, i cili po lufton kundër Hezbollahut në Liban, e sheh Iranin si një kërcënim ekzistencial. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të preferonte ndryshim regjimi në Iran, edhe pse kjo do të kërkonte ndërhyrje tokësore dhe nuk garanton stabilitet. Çështja nëse armëpushimi përfshin luftën e Izraelit kundër Hezbollahut është bërë një pikë mosmarrëveshjeje që rrezikon marrëveshjen. SHBA dhe Izraeli thonë se Libani nuk përfshihet në marrëveshje, ndërsa presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka deklaruar se ndalimi i luftimeve në Liban është kusht thelbësor për marrëveshjen me Uashingtonin.
Izraeli ka thënë se ka rënë dakord për armëpushim me Iranin, por kjo nuk përfshin ndalimin e operacioneve ushtarake në Liban.
“Unë mendoj se palët do të takohen në Islamabad. Besoj se ekziston një nivel i mjaftueshëm vendosmërie dhe angazhimi nga të dyja palët për të arritur një lloj kuadri të qëndrueshëm armëpushimi. Ka stimuj nga të dyja palët për ta bërë këtë të ndodhë. Në të njëjtën kohë, edhe pse ka nxitje për të arritur një armëpushim afatgjatë, të dyja palët ruajnë gjithashtu kapacitete të konsiderueshme sulmuese, të cilat mund t’i përdorin për kërcënim ose veprim nëse bisedimet për armëpushim ngecin ndjeshëm ose dështojnë plotësisht.
Sa i përket asaj se kush mund ta mbikëqyrë armëpushimin, në thelb kjo varet nga vullneti i mirë dhe angazhimi i Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për të mos shkelur kushtet e kuadrit të përgjithshëm të uljes së tensioneve në këtë moment. Dhe sigurisht, nuk duhet të harrojmë se edhe Izraeli do të ketë një rol të rëndësishëm këtu. Por mendoj se në afatin e menjëhershëm, në periudhë afatshkurtër, Izraeli do të jetë i kufizuar nga Shtetet e Bashkuara, dhe SHBA aktualisht dëshiron të arrijë një lloj marrëveshjeje, sepse tronditja e tregjeve dhe kostoja e vazhdimit të luftës mund të jenë politikisht shumë të larta që Presidenti Trump t’i përballojë për shumë gjatë.
Ndërsa ora e diplomacisë fillon numërimin mbrapsht, dy javët e ardhshme mund të përcaktojnë jo vetëm fatin e marrëdhënieve SHBA–Iran, por edhe stabilitetin e gjithë rajonit. Mes interesave strategjike, presioneve ekonomike dhe tensioneve ushtarake, paqja duket më shumë një ekuilibër i brishtë sesa një marrëveshje e sigurt. Dhe në këtë lojë të rrezikshme, një gjë mbetet e qartë: çdo dështim në Islamabad mund të ketë pasoja që shkojnë shumë përtej Lindjes së Mesme. (A2 Televizion)