Nga Lufta e Ftohtë te kriza e re. Kuba dhe SHBA në një përplasje pa fund

Nga Rosalba Bejdo
1 Prill 2026, 23:10 | Bota

Kuba dhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë në përplasje për më shumë se gjashtë dekada, që nga revolucioni socialist të Fidel Kastros. Megjithatë, gjatë dekadës së fundit, marrëdhëniet mes dy vendeve janë luhatur mes afrimit dhe tensioneve. Me mandatin e dytë të presidentit Donald Trump, raportet u përkeqësuan ndjeshëm.

Pas kapjes së Presidentit venezuelian Nicolas Maduro nga Shtetet e Bashkuara më 3 janar, Uashingtoni ndërpreu dërgesat e naftës nga Venezuela drejt Kubës, duke i hequr ishullit burimin më të rëndësishëm të naftës së importuar, shkruan A2.

SHBA kërcënoi gjithashtu me tarifa çdo vend tjetër që do të eksportonte naftë drejt Kubës, çka bëri që Meksika të pezullojë dërgesat e planifikuara.

Trump ka deklaruar vazhdimisht se SHBA po zhvillon bisedime me përfaqësues të nivelit të lartë kuban dhe se Kuba është e interesuar për një marrëveshje që do të ulte tensionet mes dy fqinjëve – tensione që kanë thelluar krizën ekonomike në ishull.

Por, si nisi konfikti mes Kubws dhe SHBA?

Rrënjët e konfliktit datojnë më 1 janar 1959, kur rebelët e udhëhequr nga vëllezërit Fidel dhe Raul Kastro rrëzuan qeverinë e mbështetur nga SHBA e Fulgencio Batistës. Menjëherë pas marrjes së pushtetit, regjimi revolucionar filloi të çmontojë sistemin ekonomik që favorizonte interesat amerikane dhe, në të njëjtën kohë, u afrua me Bashkimin Sovjetik – një zhvillim që alarmoi Uashingtonin në kulmin e Luftës së Ftohtë.

“Përplasja e vërtetë e dekadës së fundit nisi në vitin 1959. Do të thosha më saktë në 1960, kur regjimi i ri i Kastros filloi konfiskimin e pronave amerikane në ishull dhe hyri në përplasje fillimisht me administratën Eisenhower dhe më pas me atë të Kennedy-t. Deri në fund të vitit 1960, të gjitha pronat amerikane në Kubë ishin konfiskuar , praktikisht brenda një javë”, shprehet Sebastian Aros.

Brenda dy vitesh, marrëdhëniet mes Havanës dhe Uashingtonit u përkeqësuan me shpejtësi. Castro shtetëzoi sektorë të mëdhenj të ekonomisë dhe ndërmori reforma të thella agrare, duke goditur drejtpërdrejt interesat amerikane. Në përgjigje, presidenti Dwight Eisenhower pezulloi importet e sheqerit nga Kuba dhe SHBA vendosi një embargo të pjesshme ekonomike – fillimi i një prej bllokadave më të gjata tregtare në historinë moderne. Në janar 1961, marrëdhëniet u ndërprenë plotësisht. SHBA ndërpreu lidhjet diplomatike dhe mbylli ambasadën në Havana, duke vulosur një ndarje që do të zgjaste për dekada.

“Më pas, regjimi kuban konfiskoi edhe të gjitha pronat e mëdha, të mesme dhe të vogla në pronësi kubane. Shtetet e Bashkuara ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Kubën në vitin 1961 dhe shpallën një embargo të plotë. Ndodhi pushtimi i Gjirit të Derrave dhe marrëdhëniet dypalëshe arritën pikën më të ulët. Më pas erdhi kriza e raketave në vitin 1962, kur regjimi kuban lejoi Bashkimin Sovjetik të vendoste raketa bërthamore me rreze të shkurtër dhe të mesme në Kubë”, shpjegon Sebastian Aros.

Aleanca mes Kubës dhe Bashkimit Sovjetik u formësua menjëherë pas revolucionit të vitit 1959. Ndërsa marrëdhëniet me SHBA përkeqësoheshin, Castro kërkoi mbështetje nga Moska, duke e parë si të vetmen garanci për mbijetesë. Në qershor 1960, Kuba firmosi një marrëveshje për furnizim me naftë nga Bashkimi Sovjetik, duke nisur një partneritet të ngushtë politik dhe ekonomik. Për sovjetikët, Kuba – vetëm 90 milje larg brigjeve amerikane – kishte një vlerë të jashtëzakonshme strategjike. Në këmbim të besnikërisë, Moska i siguroi Havanës ndihmë ushtarake, kredi, naftë dhe mbështetje teknike, si edhe bleu shumicën e prodhimit të sheqerit kuban mbi çmimet e tregut.

“E vetmja alternativë tjetër në planet në atë kohë ishte Bashkimi Sovjetik. Sovjetikët e pritën regjimin e Kastros me krahë hapur dhe i ofruan menjëherë mbështetje ushtarake dhe më pas edhe ekonomike, që zgjati mbi 25 vite. Në një moment në vitet ’80, kjo mbështetje përbënte rreth 50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Kubës, në formën e subvencioneve direkte dhe furnizimit me karburant, të cilin Kuba e përdorte për vete, por edhe e rishiste në treg për të siguruar të ardhura”, deklaron Aros.

“Gjiri i Derrave” ishte një ndërhyrje ushtarake e dështuar në prill 1961, e organizuar nga CIA. Më shumë se 1,000 emigrantë kubanë, të trajnuar dhe mbështetur nga SHBA, tentuan të rrëzonin regjimin e Fidel Kastros duke zbarkuar në jugperëndim të ishullit.

Sebastian Aros thotë: “Rreth 1500 emigrantë kubanë u hodhën në Gjirin e Derrave, në jug të Kubës, dhe u lanë të përballeshin me regjimin. Ata u mposhtën dhe u burgosën. Më pas, Shtetet e Bashkuara u detyruan të negocionin me regjimin kuban për lirimin e tyre. U deshën pothuajse dy vite që ata të liroheshin. Ishte një turp për qeverinë amerikane, sepse të gjithë e dinin që SHBA qëndronte pas operacionit. Por, në të njëjtën kohë, SHBA nuk ofroi mbështetjen ushtarake që kishte premtuar. Për regjimin e Kastros, ky ishte momenti që e konsolidoi përfundimisht pushtetin në Kubë”.

Operacioni dështoi brenda tre ditësh. Forcat kubane i mposhtën shpejt dhe mijëra luftëtarë u kapën. Dështimi ishte një turp i madh për presidentin amerikan John F. Kennedy, ndërsa forcoi pushtetin e Kastros dhe e afroi edhe më shumë me Bashkimin Sovjetik. Pikërisht në këtë moment, Kuba u shpall zyrtarisht shtet socialist.

Bota u përball me rrezikun e luftës bërthamore gjatë krizës së raketave në Kubë, në tetor 1962. Pas dështimit në Gjirin e Derrave, Kuba kishte frikë nga një tjetër sulm amerikan dhe kërkoi mbrojtje nga Bashkimi Sovjetik.

“Sovjetikët ishin të shqetësuar sepse SHBA kishte vendosur raketa bërthamore me rreze të shkurtër në Turqi në fund të viteve ’50. Prandaj vendosën të luanin një lojë force me SHBA dhe vendosën edhe ata raketa bërthamore në Kubë në vitin 1961, pas Gjirit të Derrave. Ata instaluan raketa me rreze të shkurtër dhe të mesme, që mund të arrinin deri në Nju Jork”, shprehet Aros.

Moska vendosi raketa bërthamore në ishull, vetëm 90 milje nga SHBA. Kur presidenti Kennedy i zbuloi përmes survejimit ajror, urdhëroi një bllokadë detare dhe kërkoi tërheqjen e menjëhershme të tyre. Dy superfuqitë u gjendën në prag të një konflikti bërthamor, momenti më i rrezikshëm i Luftës së Ftohtë.Kriza u zgjidh pasi Bashkimi Sovjetik pranoi të tërhiqte raketat, në këmbim të një premtimi nga SHBA se nuk do të pushtonte Kubën.

“Shtetet e Bashkuara i zbuluan këto raketa përmes zbulimit ajror dhe kërcënuan të pushtonin Kubën nëse ato nuk do të hiqeshin. Pasuan rreth 10 ditë tensioni ekstrem, ku forcat detare sovjetike dhe amerikane ishin shumë pranë përplasjes. Mund të kishte qenë shkëndija e parë e një Lufte të Tretë Botërore bërthamore. Në fund, palët arritën një marrëveshje: sovjetikët i tërhoqën raketat nga Kuba, me kusht që SHBA të mos e pushtonte ushtarakisht ishullin. Kjo njihet si marrëveshja Kennedy-Khrushchev dhe qëndroi në fuqi deri në vitin 1991, me rënien e Bashkimit Sovjetik”, deklaron Aros.

Në vitin 2014, presidenti Barack Obama njoftoi një ndryshim historik të politikës amerikane ndaj Kubës, duke nisur një proces afrimi mes dy vendeve. Në dhjetor të atij viti, Obama dhe Raul Castro shpallën rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike , afrimi më i madh në dekada.Por rezultatet nuk ishin ato që priteshin. Sipas ekspertit Sebastian Aros, regjimi kuban e përdori hapjen jo për reforma, por për të forcuar kontrollin mbi ekonominë. Ndërsa SHBA lehtësoi disa sanksione, qeveria kubane dobësoi sektorin privat dhe përqendroi ekonominë nën kontrollin e ushtrisë.Sipas tij, një konglomerat ushtarak, GAESA, arriti të kontrollojë deri në 60-65% të ekonomisë së vendit.

“Sapo Obama filloi të lehtësonte disa nga sanksionet ndaj Kubës, regjimi i Kastros ndërmori menjëherë një kundër-reformë: eliminoi sektorin e vogël privat që sapo kishte nisur të formohej dhe përqendroi ekonominë nën kontrollin e ushtrisë. Ekziston një kompani në Kubë e quajtur GAESA. Është një konglomerat që kontrollon rreth 60-65% të gjithë ekonomisë kubane. Të gjitha financat, import-eksportet, industria e hoteleve, madje edhe eksporti i personelit mjekësor jashtë vendit – gjithçka është nën kontrollin e ushtrisë. Çdo eksport, si karavidhe, kafe, puro apo rum, kontrollohet nga ushtria. Kjo përqendrim ekstrem ndodhi pikërisht pas afrimit me Obamën. Në fund, nuk funksionoi siç pritej dhe me ardhjen e Trump-it, politikat u përmbysën dhe u rikthyen sanksionet e plota”, shpjegon Aros.

Në vitin 2017, Donald Trump përmbysi pjesërisht politikat e Obamës dhe marrëdhëniet u përkeqësuan sërish. Në 2021, administrata Trump e riktheu Kubën në listën e vendeve që sponsorizojnë terrorizmin – një vendim i dënuar ashpër nga Havana. Një marrëveshje mes Kubës dhe SHBA mbetet e pasigurt dhe shumë e komplikuar. Trump ka përmendur idenë e një “marrjeje miqësore nën kontroll”, ndërsa zyrtarët kubanë kërkojnë lehtësim nga embargoja ekonomike.

Donald Trump theksoi: “Kuba duket sikur është gati të bjerë, e dini? Duket sikur nuk do të mund të mbajë më. Nuk e di nëse do t’ia dalin. Por tani Kuba nuk ka të ardhura. Të gjitha të ardhurat i merrte nga Venezuela, nga nafta venezueliane. Dhe tani nuk po merr më asgjë”.

Megjithatë, sipas Aros, shanset për një marrëveshje reale janë të pakta. Ndryshe nga periudha e Obamës, kur Kuba përfitonte ekonomikisht nga hapja, sot ajo ka pak interes të pranojë kushtet e Uashingtonit: “Ata përfituan financiarisht nga afrimi me Obamën, ndaj ishte në interesin e tyre. Këtë herë është ndryshe – është presion i imponuar nga Shtetet e Bashkuara. Ata nuk duan të heqin dorë nga pushteti. Dhe mendoj se do të jetë shumë e vështirë të arrihet një marrëveshje, sepse palët duan gjëra të kundërta: SHBA do që regjimi të largohet, ndërsa regjimi kërkon të qëndrojë”.

Dhe për sa kohë kjo përplasje themelore vazhdon, një marrëveshje mes dy vendeve duket ende e largët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos