
Janë dërguar në gjyq për shpërdorim detyre ish-drejtorët e AMP-së të cilët mundësuan punësimin në institucion të shtetasit Mustafa Shaljani pa verifikim real.
Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet për ish-drejtorin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Artiol Saliasi, dhe drejtorin e Financës së kësaj agjencie Gëzim Sala, duke i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se Saliasi dhe Sala kanë komunikuar së bashku për punësimin e Shaljanit në AMP.
Po ashtu, mësohet se të pandehurit ishin të vetëdijshëm për procedurën ligjore dhe mungesën e kushteve dhe pavarësisht kësaj vijuan procedurën dhe futën në strukturë një person pa verifikim real dhe me dokumentacion të dyshimtë.
Mustafa Shaljani (Sheqeri) mbeti i vrarë bashkë me Gilmando Danin, gjatë një atentati të ndodhur në Rinas më 11 nëntor të vitit që lamë pas. (A2 Televizion)