Nuk ndalet masakra në Gaza, ushtria izraelite vret 35 civilë palestinezë

Nga Erjon Dervishi
11 Qershor 2025, 15:15 | Bota

Afro 35 civilë palestinezë kanë mbetur të vdekur në Rripin e Gazës, duke e çuar numrin e të vdekurve në disa dhjetëra mijë që nga tetori i vitit 2023. Pjesa më e madhe e viktimave ishin pranë qendrave të ndihmave humanitare, thanë zyrtarët lokalë të shëndetësisë.

Një total prej 163 personash janë vrarë më herët dhe më shumë se 1000 të plagosur duke u përpjekur të arrinin në pak vende ndihme të operuara nga fondacioni që kur filloi punën dy javë më parë pas një bllokade tremujore, sipas ministrisë së shëndetësisë të Gazës.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se bllokada e solli enklavën palestineze në prag të urisë dhe se furnizimet me ushqim mbeten kritikisht të ulëta, shkruan A2 CNN. Fondacioni për ndihmën humanitare në Gaza tha se nuk ishte në dijeni të incidentit, por se po punon ngushtë me autoritetet izraelite për të siguruar që rrugët e sigurta të kalimit të ruhen dhe se është thelbësore që palestinezët të ndjekin nga afër udhëzimet.

“Në fund të fundit, zgjidhja është më shumë ndihmë, e cila do të krijojë më shumë siguri dhe më pak urgjencë midis popullsisë”, tha ajo me email në përgjigje të pyetjeve të Reuters. “Nuk ka ende ushqim të mjaftueshëm për të ushqyer të gjithë ata që kanë nevojë në Gaza. Fokusi ynë aktual është të ushqejmë sa më shumë njerëz të jetë e mundur në mënyrë të sigurt brenda kufizimeve të një mjedisi shumë të paqëndrueshëm”.

OKB-ja dhe grupet e tjera të ndihmës kanë refuzuar të furnizojnë ndihmë përmes fondacionit, i cili përdor kontraktorë privatë me mbështetje ushtarake izraelite, në atë që ata e quajnë shkelje të standardeve humanitare. Zyrtarët e shëndetësisë në Gaza thanë se 10 persona të tjerë u vranë në një sulm ajror izraelit në Khan Younis në jug të enklavës. Ushtria izraelite nuk dha asnjë koment të menjëhershëm mbi raportet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos