Autoritetet kostarikane kanë zbuluar dhe sekuestruar 3450 kilogramë kokainë të fshehur brenda një kontejneri me fruta të freskëta, që ishte destinuar për tregjet evropiane. Operacioni u realizua në terminalin e kontejnerëve Moin, në provincën Limon, gjatë një kontrolli rutinë me skaner, raporton Reuters, përcjell A2 CNN.
Sipas Ministrisë së Sigurisë Publike, droga ishte e maskuar me kujdes mes produkteve bujqësore të ligjshme që po eksportoheshin. Kontejneri ishte në rrugë për në portin e Antverpit në Belgjikë, një pikë hyrjeje kyçe për mallrat në Europë, por edhe për kokainën.
“U gjetën 3.4 ton kokainë në një kontejner me fruta të freskëta që kishte si destinacion portin e Antverpit. Ky është një operacion i rëndësishëm dhe një goditje e madhe për trafikantët, falë përdorimit të skanerëve tanë. Një sukses për Operacionin 'Sovraniteti', me një sasi historike droge të sekuestruar”, tha ministri i Sigurisë Publike të Kosta Rikës, Mario Zamora.
Ky sekuestrim e çon në mbi 13 tonë sasinë totale të kokainës së kapur në portet e Kosta Rikës vetëm gjatë këtij viti, duke e vendosur shtetin e vogël në Amerikën Qendrore në listën e pikave kyçe të transitit për trafikun ndërkombëtar të drogës. (A2 Televizion)