Trump çon ushtrinë kudo ku ka trazira, kaos në Los Angeles, nisin arrestimet masive pas shtetrrethimit

Nga A2 CNN
11 Qershor 2025, 10:38 | Bota

Në Los Anxhelos shpërtheu kaosi pas vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe shtetrrethimit. Përleshje të dhunshme dhe arrestime masive u panë në rrugë të ndryshme, gjatë protestave kundër operacioneve për ndalimin dhe dëbimin e emigrantëve në Kaliforni. Për autoritetet lokale, faji për këtë dhunë qëndron në Shtëpinë e Bardhë.

“Donald Trump, pa u konsultuar me udhëheqësit e zbatimit të ligjit në Kaliforni, urdhëroi 2,000 anëtarë të Gardës Kombëtare të shtetit tonë të dislokoheshin në rrugët tona në mënyrë të paligjshme dhe pa asnjë arsye. Ky abuzim i paturpshëm i pushtetit nga një president në detyrë ndezi situatën, duke vënë në rrezik popullin tonë, oficerët tanë dhe madje edhe Gardën tonë Kombëtare. Këta janë burra dhe gra të trajnuar për luftime të huaja, jo për zbatimin e ligjit vendas. Ne nderojmë shërbimin e tyre. Ne nderojmë trimërinë e tyre. Por nuk duam që rrugët tona të militarizohen nga forcat tona të armatosura. As në Los Angeles, as në Kaliforni, askund tjetër”, u shpreh guvernatori i Kalifornisë.

Por presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëron se ushtria do të dislokohet kudo që ka protesta.

“Nëse janë të rrezikshëm, nëse hedhin beton ose tulla, nëse pështyjnë në fytyrën e policisë ose kujtdo që është përpara tyre, nëse grushtojnë njerëz, nëse bëjnë të gjitha gjërat që shihni të bëhen gjatë tre netëve të fundit, kjo do të thotë se duhej angazhuar ushtria. Dua ta shpëtoj qytetin Los Anxhelos. Newsom është krejtësisht i paaftë. Ka diçka të gabuar me këta njerëz. Gjithçka çfarë dua për sa i përket dislokimit të ushtrisë, është paqja. Nëse ka paqe, ne largohemi”, deklaroi presidenti.

Një Gjykatë në Kaliforni rrëzoi kërkesën për një mocion emergjent për të parandaluar zgjerimin e prezencës ushtarake të urdhëruar nga presidenti Trump. Ndërkohë, protestat kundër operacioneve të ndalim-dëbimit të emigrantëve janë përhapur edhe në të paktën 9 shtete të tjera amerikane.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos