Papa varroset të shtunën, Trump e Macron do të jenë në ceremoni, nuk do të prehet në Shën Pjetër

Nga A2 CNN
22 Prill 2025, 17:29 | Bota

Ceremonia e varrimit për Papa Franceskun, ku pritet të marrin pjesë udhëheqës nga e gjithë bota, do të mbahet të shtunën në orën 10:00. Kështu u vendos në takimin e kardinalëve të mbledhur të martën në Vatikan për të planifikuar funeralin.

88 vjeçari vdiq papritur të hënën si pasojë e një goditje në tru dhe arresti kardiak, duke i dhënë fund një Papati të trazuar gjatë së cilit vazhimisht u përplas me tradicionalistët dhe mbështeti fort të varfërit dhe të margjinalizuarit.

Vdekja e tij vë në lëvizje një sërë ritualesh antike, teksa Kisha me 1.4 miliardë pjesëtarë nis tranzicionin nga një Papë tek tjetri.

Një prej tyre ishte edhe mbyllja e apartamentit papnor nga një kardinal i njohur si Kamerlengo.

Arkivoli me trupin e Papës, i shfaqur për herë të parë këtë të martë, do të vendoset në Bazilikën e Shën Pjetrit të mërkurën, ku edhe pritet të zhvillohen homazhet në nder të tij.

Presidenti amerikan Donald Trump i cili është përplasur vazhdimisht me Papën për çështjen e emigracionit tha se ai dhe bashkëshortja do te udhëtonin në Romë për të marrë pjesë në varrim.

Mes krerëve të tjerë të shtetit që kanë konfirmuar pjesëmarrjen janë presidenti francez Emanuel Macron dhe Javier Millei, presidenti i vendlindjes së Franceskut, Argjentinës.

Në një thyerje të traditës Francesku konfirmoi në testamentin e tij të fundit, i lexuar të hënën se dëshiron të varroset në Bazilikën e Santa Maria Maggiore në Romë e jo në Shën Pjetër. Ndërkohë konklava për zgjedhjen e Papës së ri, do të mbahet 15 deri në 20 ditë pasvdekjes së Kreut të Selisë së Shenjtë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos