Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord që të shkëmbejnë të burgosurit e luftës. Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov ka informuar gazetarët ukrainas për lajmin pasi bisedimet me Rusinë kanë përfunduar në Stamboll.
Umerov thotë se Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord të shkëmbejnë nga 1,000 të burgosur lufte secila.
"Kemi diskutuar çështjen e armëpushimit. Dhe çështjen e shkëmbimeve të të burgosurve. Rezultati është shkëmbimi i 1,000 personave për 1,000. Ky është rezultati i takimit tonë. Data është caktuar, por nuk po bëhet publike”, tha ai.
Umerov gjithashtu tha se është diskutuar një takim i mundshëm midis Volodymyr Zelensky dhe Vladimir Putin dhe se së shpejti do të shpallet një njoftim për një raund të ri të mundshëm bisedimesh.
Umerov shton se u diskutuan gjithashtu "të gjitha modalitetet" e një armëpushimi.
Ndërkohë një anëtar i ekipit ukrainas të BBC-së, i cili është me përfaqësuesit e delegacionit ukrainas në Stamboll, thotë se bisedimet me Rusinë kanë mbaruar. (A2 Televizion)