Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ngriti alarmin për sigurinë e liderëve ndërkombëtarë që mund të marrin pjesë në paradën ushtarake në Moskë më 9 maj, për të shënuar 80-vjetorin e fitores sovjetike në Luftën e Dytë Botërore. Ai paralajmëroi se Rusia mund të inskenojë sulme gjatë asaj dite dhe të fajësojë Ukrainën për to.
“Unë nuk mund të garantoj sigurinë e liderëve që do të ftohen nga Putin. Nuk dihet se çfarë synon të bëjë Rusia në atë datë. Mund të ketë zjarre, shpërthime dhe më pas të na fajësojnë ne,” u shpreh Zelensky në një deklaratë për gazetarët.
Presidenti ukrainas theksoi gjithashtu se nuk ka ndërmend të lehtësojë përpjekjet e Kremlinit për të krijuar një imazh të normalitetit apo për ta nxjerrë Putinin nga izolimi ndërkombëtar.
“Nuk do të luaj lojëra diplomatike për të krijuar një atmosferë të këndshme. Lufta vazhdon,” tha ai, duke shpallur edhe një herë propozimin për një armëpushim 30-ditor humanitar.
Në lidhje me qasjen e SHBA-së, Zelensky përmendi një ndryshim të mundshëm në qëndrimin e Donald Trump pas një takimi dypalësh në Vatikan, me rastin e funeralit të Papa Françeskut.
“Besoj se që nga ai takim, Trump filloi t’i shohë gjërat ndryshe. Por ky është këndvështrimi dhe vendimi i tij,” u shpreh ai.
Rusët sulmuan qytetin e Kharkivit në verilindje të Ukrainës gjatë natës, duke plagosur të paktën 51 persona, përfshirë dy vajza adoleshente, duke përdorur bomba termobarike, të cilat krijojnë një valë shoku me temperaturë shumë të lartë. Kështu raportoi zyra e prokurorit rajonal të Kharkivit këtë mëngjes, e cituar nga mediat ukrainase. Të paktën shtatë shpërthime ndodhën në pjesë të ndryshme të qytetit, ku shpërthyen zjarre të shumta, shkruan faqja ukrainase e internetit, sipas së cilës rusët përdorën të paktën 15 dronë, ndoshta të ngarkuar me këtë lloj arme.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Tammy Bruce, i quajti të rreme raportet se SHBA-të po shqyrtojnë mundësinë e ndërprerjes së pjesëmarrjes së tyre në zgjidhjen e situatës në Ukrainë.
(A2 Televizion)