Për të ishin lëshuar 12 urdhërarreste, vetëdorëzohet në polici “Zinio”

Nga A2 CNN
26 Dhjetor 2023, 08:29 | Bota
Për të ishin lëshuar 12 urdhërarreste,
Luis Antonio da Silva Braga apo “Zinio”

Lideri i organizatës më të rëndësishme paraushtarake në Rio de Zhaneiro, i cili ishte në kërkim për krime të ndryshme, është dorëzuar në polici. “Armiku numër 1”, siç e cilësuan autoritetet shtetërore, Luis Antonio da Silva Braga apo i njohur ndryshe si “Zinio”, ishte në arrati që prej vitit 2018. Ndaj tij, ishin lëshuar të paktën 12 urdhërarreste për veprimtari kriminale.

Ai u dorëzua në policinë federale në Rio të dielën mbrëma, u arrestua dhe u la në paraburgim. Ministri i Drejtësisë dhe Sigurisë, Flavio Dino, u shpreh i kënaqur përmes një postimi në "X", për një tjetër rezultat të rëndësishëm të punës serioze që po bëhet në Rio de Zhaneiro dhe shtete të tjera, në luftën kundër organizatave kriminale.

Grupet paraushtarake që veprojnë në Brazil u krijuan rreth 40 vjet më parë nga ish-policë, pensionistë, zjarrfikës apo edhe roje burgu, si organizata "vetëmbrojtjeje" kundër bandave të trafikut të drogës. Edhe pse në fillim banorët i shikonin mirë, shumë shpejt filluan zhvatjet, trafiku i armëve dhe pastrimi i parave. Vitet e fundit, ata kanë qenë të lidhur edhe me trafikun e drogës.

Në fund të tetorit, lagjet e varfra të Rio de Zhaneiros u përfshinë nga skena kaosi, me autobusët e djegur dhe një re të dendur tymi që mbuloi zonën, duke treguar se sa të rrezikshme janë bërë këto grupe paraushtarake për qytetin dhe sigurinë kombëtare, njoftojnë mediat ndërkombëtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos