Përqesh partinë e Elon Musk, Trump i drejtohet botës: Letra për tarifat, ndarja me Putin dhe paqja

Nga Xhevahir Qardaku
7 Korrik 2025, 11:29 | Bota

Presidenti Donald Trump i flet Amerikës dhe botës. Në fillim adreson zhgënjimin e tij me aleatin e ngushtë Elon Musk, duke përqeshur aspiratat e miliarderit për të krijuar një parti të re për të sfiduar Republikanët dhe Demokratët në Shtetet e Bashkuara.

“Mendoj se është qesharake të krijosh një parti të tretë. Ne kemi një sukses të jashtëzakonshëm me Partinë Republikane. Demokratët e kanë humbur rrugën, por gjithmonë ka qenë një sistem dypartiak. Dhe mendoj se krijimi i një partie të tretë vetëm sa shton konfuzionin. Jemi një vend i bërë vetëm për dy parti. Partitë e treta nuk kanë funksionuar kurrë. Pra, ai mund të argëtohet me të, por unë mendoj se është qesharake”, tha Trump.

Zhgënjimi tjetër kishte të bënte me presidentin rus, Vladimir Putin. Lideri amerikan, Donald Trump, ka nisur ta shohë realitetin për të njohur se kush dëshiron paqe në konfliktin mes Moskës dhe Kievit, ndërsa konfirmoi se do të ndihmojë Ukrainën.

“Me Zelenskin pata një telefonatë të mirë. Ai po goditet shumë ashpër. Më duhet të them se jam shumë i zhgënjyer nga telefonata që pata me presidentin Putin. Shumë i zhgënjyer”, u shpreh presidenti amerikan.

Lufta e tarifave që u la në hije për tu marrë me atë të bombave të vërteta, do të nisë sërish pasditen e kësaj të hëne. Presidenti Trump konfirmoi se do të nisë me shpërndarjen e letrave që informojnë vendet e botës mbi masën ndëshkuese që SHBA-të po vendosin, por mbi të gjitha për arsyet, shkruan A2 CNN.

“Do të dërgojmë letra të hënën që kanë të bëjnë me marrëveshjet tregtare. Mund të jenë 12, ndoshta 15. Kam Sekretarin e Tregtisë këtu. Howard ato mund të jenë ndoshta rreth 15, dhe ato do të dërgohen të hënën dhe disa do të dërgohen të martën dhe të mërkurën. Ne kemi bërë marrëveshje gjithashtu. Pra, do të kemi një kombinim letrash dhe disa marrëveshje janë bërë”, tha Trump.

Sekretari i Tregtisë Howard Lutnick u tha gazetarëve se tarifat më të larta do të hynin në fuqi më 1 gusht. Presidenti Donald Trump ka kërcënuar me tarifa të reja për çdo komb që mbështet politikat “anti-amerikane” të grupit BRICS të ekonomive në zhvillim, ndërsa njoftoi se letrat e tarifave do t’u dërgohen dhjetëra vendeve nga e hëna, përpara një afati të rëndësishëm. Në një postim në Truth Social të dielën, Trump tha se SHBA-të do të vendosin një tarifë shtesë prej 10% për “çdo vend që përputhet me politikat anti-amerikane të BRICS” pa “përjashtime”, megjithëse nuk ishte menjëherë e qartë se për cilat politika po i referohej Trump.

Grupi BRICS, një akronim i anëtarëve themelues Brazil, Rusi, Indi, Kinë dhe Afrikë e Jugut, ka kohë që qëndron si një grup i ndryshëm vendesh të bashkuara nga një pikëpamje e përbashkët se ndarja globale e pushtetit duhet të rishpërndahet për të reflektuar realitetet aktuale ekonomike globale për një rend botëror “multipolar” në krahasim me një rend botëror të udhëhequr nga Perëndimi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos