Nuk ka të ndalur beteja në rrjetet sociale mes presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe multimiliarderit Elon Musk, i cili pak kohë më parë ishte ndër njerëzit e tij më të besuar e madje u bë dhe pjesë e stafit të ngushtë.
Presidenti amerikan ka ironizuar së fundmi nismën e Elon Musk për të krijuar një parti të tretë politike në SHBA.
“Krijimi i një partie të tretë është qesharak,” tha Trump, duke shtuar se “kjo vetëm sa krijon konfuzion. Një parti e tretë nuk funksionon.”
Deklaratat u bënë publike më 6 korrik në rrjetin social Truth, ku Trump kritikoi gjithashtu miliarderin Musk për reagimet e fundit.
“Është për të ardhur keq të shohësh Elonin duke humbur kontrollin dhe duke u kthyer në një katastrofë gjatë pesë javëve të fundit,” tha Trump.
Ai shtoi se miratimi nga republikanët i projektligjit “big beautiful bill” është një fitore për vendin, pavarësisht se kjo do të ndikojë negativisht tek Tesla dhe industria e makinave elektrike.
“Fatkeqësisht për Elonin, ky ligj e eliminon subvencionimin për makinat elektrike, diçka ndaj së cilës kam qenë kundër që nga fillimi,” tha Trump. “Bëra fushatë për këtë edhe kur Elon më dha mbështetjen e tij. Më kishte thënë se nuk kishte problem”, deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë. (A2 Televizion)