Përshkallëzimi në Lindjen e Mesme, drejtori i CIA-s takohet me presidentin egjiptian në Kajro

Nga A2 CNN
20 Shtator 2026, 22:48 | Bota

Përshkallëzimi në Lindjen e Mesme, drejtori i CIA-s takohet me

Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, është takuar të dielën në Kajro me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, në një kohë kur tensionet dhe konfliktet në Lindjen e Mesme po përshkallëzohen.

Në takimin mes dy zyrtarëve mori pjesë edhe kreu i Shërbimit të Inteligjencës Egjiptiane, Hassan Rashad. Sipas presidencës egjiptiane, diskutimet u përqendruan në luftimet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, situatën në Rripin e Gazës dhe Sudan, si dhe sulmet ndaj vendeve të Gjirit dhe kërcënimet ndaj transportit detar në rajon.

Presidenti Sisi theksoi rëndësinë e zgjidhjes së krizave rajonale përmes mjeteve politike dhe diplomatike, ndërsa Ratcliffe vlerësoi rolin e Egjiptit në përpjekjet diplomatike për uljen e tensioneve dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve.

Takimi në Kajro zhvillohet në një moment kur Uashingtoni ka shtuar paralajmërimet për përkeqësimin e situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme.

Departamenti amerikan i Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë që të shmangin udhëtimet drejt dhe përmes rajonit, duke paralajmëruar se konflikti mund të përshkallëzohet me shpejtësi.

Paralajmërimi i SHBA-së erdhi pas raportimeve për sulme të rebelëve Huthi nga Jemeni ndaj kryeqytetit saudit, Riad. Uashingtoni u ka kërkuar amerikanëve jashtë Lindjes së Mesme që ta rishqyrtojnë seriozisht çdo udhëtim drejt rajonit.

Takimi Ratcliffe-Sisi shihet në këtë kontekst si pjesë e përpjekjeve diplomatike dhe të sigurisë për të vlerësuar zhvillimet e fundit dhe për të koordinuar qëndrimet mbi krizën gjithnjë e më të gjerë në Lindjen e Mesme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos