
Gjykata e Posaçme ka pranuar si prova të reja disa komunikime në aplikacionin SKY ECC, të sjella nga SPAK në procesin gjyqësor ndaj Dritan Rexhepit dhe gjashtë të pandehurve të tjerë, të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.
Aktet e reja të paraqitura nga SPAK përmbajnë komunikime mes Dritan Rexhepit, Gentian Funiqit, Altin Hajrit dhe Geraldo Martinit.
Gjatë seancës, SPAK deklaroi se të pandehurit janë identifikuar përmes kodeve që përdornin në komunikimet e tyre, ku diskutonin për ngarkesën e drogës dhe rrëmbimin e Jan Prengës.
Sipas organit të akuzës, në bisedat e vitit 2020 të pandehurit flasin për organizimin e rrëmbimit, ndërsa në komunikime përmenden edhe mesazhe që u janë dërguar vëllait të Jan Prengës, i cili në atë kohë ndodhej në burg.
Një tjetër element i përmendur nga SPAK lidhet me mundësinë e rrëmbimit të babait të Ndrek Prengës, por në fund objektiv i rrëmbimit u bë Jan Prenga, vëllai i tij.
Po ashtu, sipas SPAK, në komunikimet e zbardhura, Gentian Funiqi ka diskutuar mundësinë që çështja të hiqej nga kompetenca e SPAK dhe të ndiqej nga një prokurori e zakonshme. (A2 Televizion)