Hakerat depërtojnë në "zemrën" teknologjike të Forcave Ajrore amerikane, në rrezik të dhënat sekrete ushtarake

Nga A2 CNN
27 Nëntor 2026, 14:02 | Teknologji

Hakerat depërtojnë në "zemrën" teknologjike

Hakerat kanë depërtuar në platformën kryesore të Forcave Ajrore të SHBA-ve për shërbimet kompjuterike në cloud, thanë për Reuters tre persona në dijeni të çështjes. Ky zhvillim mund të vërë në rrezik një sasi të madhe të dhënash të ndjeshme që lidhen me operacionet taktike, personelin dhe logjistikën.

Ndërhyrja në platformën “Cloud One” u zbulua rreth një muaj më parë, gjatë punës për përmirësimin e sistemit, thanë dy prej burimeve. Ata shtuan se zbulimi ka shkaktuar ndërprerje në funksionimin e platformës.

Reuters nuk arriti të përcaktojë identitetin e hakerave, përmasat e plota të ndërhyrjes apo nëse është vjedhur ndonjë e dhënë.

Në një deklaratë, Forcat Ajrore thanë se “nuk komentojnë gjendjen e sigurisë, dobësitë apo statusin operacional të rrjeteve dhe sistemeve specifike. Ne marrim vazhdimisht masa të kujdesshme për të mbrojtur informacionin, sistemet dhe kapacitetet operacionale të Departamentit të Forcave Ajrore”.

E krijuar në vitin 2017, platforma “Cloud One” synonte të shërbente si një pikë e vetme për të gjitha nevojat teknologjike të Forcave Ajrore, duke bashkuar burimet e katër operatorëve: Microsoft, Amazon, Oracle dhe Alphabet.

Platforma mbështet dhjetëra aplikacione, përfshirë ato që menaxhojnë të dhënat dhe pagat e personelit, si dhe sistemet e logjistikës dhe mirëmbajtjes.

Ndër to janë sistemi i Komandimit dhe Kontrollit të Bazuar në Cloud (Cloud-Based Command and Control), i cili mbledh të dhënat e radarëve të mbrojtjes ajrore dhe informacione të tjera nga e gjithë Amerika e Veriut.

Një tjetër sistem është “Theater Integrated Combat Munitions System”, i cili gjurmon bombat dhe raketat në më shumë se 200 baza dhe instalime të Forcave Ajrore të SHBA-së në mbarë botën.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos