Targat e makinave janë kthyer në objektin më të dëshiruar nga bandat kriminale të organizuara në Britani, duke shënuar një rritje të raportuar të vjedhjeve me 68% që nga viti 2021. Sipas një raporti të publikuar nga Churchill Insurance, mbi 5,600 shoferë deklaruan pranë autoriteteve vitin e kaluar se targat e tyre ishin vjedhur, ndërsa mbi 10,400 të tjerë raportuan se ishin viktimë e klonimit të targave.
Ekspertët thonë se shifrat reale janë shumë më të larta, pasi shumë shoferë nuk i raportojnë këto raste, duke preferuar të blejnë targa të reja për vetëm 15 paund. Ndërkohë, policia britanike thotë se çdo vit nga 25 deri në 30 mijë shoferë njoftojnë për vjedhje targash, ndërsa një studim i Direct Line në vitin 2022 tregonte mbi 53 mijë raste të raportuara në polici vetëm në një vit, shkruan A2 CNN.
Arsyeja kryesore e rritjes së këtij fenomeni lidhet me zgjerimin e përdorimit të kamerave ANPR dhe CCTV për të gjurmuar shkeljet në rrugë. Kriminelët, për të shmangur gjobat për shpejtësi, parkim, kalim në korsitë e autobusëve, po përdorin gjithnjë e më shumë targa të vjedhura ose të klonuara. Vetëm në Londër, anulimet e gjobave për shkak të klonimit të targave u rritën me 64% nga 2021 në 2023.
Targat e falsifikuara përdoren edhe nga grupet kriminale për aktivitete më të rënda, përfshirë vjedhjet e karburantit. Sipas Forecourt Trader, në pesë vitet e fundit janë vjedhur mbi 6.5 milion paund karburant, ndërsa 13% e rasteve lidhen drejtpërdrejt me makina me targa të klonuara. (A2 Televizion)