Presidenti dhe Zonja e Parë dënohen me 15 vjet burg

Nga A2 CNN
16 Prill 2025, 07:09 | Bota

Presidenti dhe Zonja e Parë dënohen me 15 vjet burg

Një gjykatë në Peru ka shpallur fajtor ish-presidentin Ollanta Humala për pastrim parash dhe e ka dënuar me 15 vite burg. Sipas vendimit të gjykatës, Humala kishte pranuar fonde të paligjshme nga kompania braziliane Odebrecht për të financuar fushatat e tij elektorale në vitet 2006 dhe 2011.

Edhe bashkëshortja e tij, Nadine Heredia, bashkëthemeluese e Partisë Nacionaliste të Perusë, u shpall po ashtu fajtore për pastrim parash dhe u dënua me 15 vite burg. Ministria e Jashtme e Perusë njoftoi se Heredia ka marrë azil në Brazil dhe do të ketë kalim të sigurt për të udhëtuar atje bashkë me djalin e saj.

Prokuroria kishte kërkuar 20 vite burg për Humala dhe 26 vite e gjysmë për Heredian, por gjykata vendosi një dënim më të ulët pas një procesi gjyqësor që zgjati më shumë se tre vite. Humala, 62 vjeç, ishte i pranishëm në sallën e gjyqit gjatë shpalljes së vendimit, ndërsa bashkëshortja e tij e ndoqi seancën përmes video-lidhjes.

Të dy ata i kanë mohuar akuzat përgjatë gjithë procesit.

Humala është një ish-oficer i ushtrisë peruane që u bë i njohur në vitin 2000 kur udhëhoqi një rebelim të shkurtër ushtarak kundër presidentit të atëhershëm, Alberto Fujimori. Në vitin 2006, ai kandidoi për president dhe u afrua politikisht me presidentin e atëhershëm të Venezuelës, Hugo Chávez. Prokurorët pretendojnë se edhe Chávez i kishte dhënë fonde të paligjshme Humalës për të mbështetur fushatën e tij.

Ky rast është një tjetër goditje për klasën politike të Perusë, e cila prej vitesh është përfshirë në skandale korrupsioni të lidhura me kompaninë braziliane Odebrecht. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos