E pazakontë, peshkaqeni gjigand kapet në qytezën port pranë Barcelonës

Nga A2 CNN
15 Prill 2025, 20:33 | Bota

Një video e filmuar në pjesën verilindore të rajonit të Katalonjës, që tregon momentin kur një peshkaqen gjigand u kap aksidentalisht nga një peshkatar, është bërë virale në rrjetet sociale.

Përbindëshi 6.7 metra i llojit basking (Cetorhinus maximus), e që është i listuar si një specie e mbrojtur nga autoritetet, u kap nga një peshkatar i zakonshëm, i cili i alarmuar u detyrua të njoftonte menjëherë fondacionin për jetën detare të zonës – CRAM.

Ai e solli peshkaqenin në breg në Port de la Selva ku ekspertët zbuluan se ishte një femër. CRAM konfirmoi se kapja ishte aksidentale dhe se peshkatari kishte ndjekur të gjitha protokollet e nevojshme duke i njoftuar menjëherë.

Video, e cila ka mbi 150 mijë shikime në platformën ‘X’ tregon njerëz të mbledhur rreth krijesës gjigante ndërsa ajo sillet në breg, ndërsa një rrjetë peshkimi është ngatërruar në bishtin e saj.

Peshkaqenët basking janë lloji i dytë më i madh i peshkut në botë, dhe më i madhi që mund të gjendet në Detin Mesdhe. Pavarësisht përmasave të tyre të mëdha dhe gojës së frikshme, ata nuk janë agresivë ndaj njerëzve dhe ushqehen kryesisht me plankton. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos