Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 8.8 ballë goditi Gadishullin Kamchatka në lindje të largët të Rusisë duke shkaktuar një valë cunami 4 metra. Si rrjedhojë qindra urdhra evakuimi janë lëshuar në të gjithë Paqësorin.
Tërmeti i cekët dëmtoi ndërtesa dhe plagosi disa njerëz në rajonin e largët rus, ndërsa pjesa më e madhe e bregdetit lindor të Japonisë, e shkatërruar nga një tërmet dhe cunami me magnitudë 9.0 në vitin 2011 - u urdhërua të evakuohej.
Në Hawaii, banorëve bregdetarë iu tha të shkonin në vende të larta ose në katin e katërt ose më lart të ndërtesave, dhe Roja Bregdetare e SHBA-së urdhëroi anijet të largoheshin nga portet ndërsa cunami po afrohej. "Merrni masa! Priten valë shkatërruese cunami", tha Departamenti i Menaxhimit të Emergjencave i Honolulu-s në X. Valët e cunamit që arritën në 5 metra goditën pjesë të Kamchatka-s, duke përmbytur pjesërisht portin dhe një fabrikë përpunimi peshku në qytetin Severo-Kurilsk dhe duke rrëmbyer anijet nga vendqëndrimet e tyre, thanë zyrtarët rajonalë dhe ministria e emergjencave të Rusisë.
"Tërmeti i sotëm ishte serioz dhe më i forti në dekada me dridhje", tha Guvernatori i Kamchatka-s, Vladimir Solodov, në një video të postuar në aplikacionin e mesazheve Telegram. Ministria e Shërbimeve të Emergjencave e Rusisë tha në Telegram se një kopsht fëmijësh u dëmtua, por shumica e ndërtesave i rezistuan tërmetit. Nuk janë raportuar lëndime serioze ose viktima.
Studim Gjeologjik i SHBA-së tha se tërmeti ishte i cekët në një thellësi prej 19.3 km (12 milje) dhe epiqendra e tij ishte 119 km në lindje-juglindje të Petropavlovsk-Kamchatsky, një qytet me 165,000 banorë.
Qendra Amerikane e Paralajmërimit për Cunam në Alaska lëshoi një paralajmërim për cunami për Alaskën dhe pjesë të Bregut Perëndimor të SHBA-së, përfshirë Hawaiin. Autoritetet filipinase paralajmëruan gjithashtu për valë të vogla të mundshme të cunamit.
Tërmeti ndodhi brenda të ashtuquajturës "Unaza e Zjarrit" e Paqësorit. Ky është një zinxhir rajonesh sizmologjikisht dhe gjeologjikisht aktive që rrethojnë Oqeanin Paqësor, ku ndodhin shumë nga tërmetet, shpërthimet vullkanike dhe cunamet më të mëdha në botë. Ai shtrihet përgjatë një zone në formë patkoi që gjarpëron nga Zelanda e Re përmes pjesëve të Azisë Juglindore, Japonisë dhe Alaskës deri në bregun perëndimor të Amerikës së Veriut dhe të Jugut. (A2 Televizion)