Protestat për 1 Majin, mbi 52,000 oficerë policie blindojnë Stambollin, 400 të arrestuar

Nga A2 CNN
1 Maj 2025, 17:38 | Bota

Policia turke ka arrestuar qindra protestues që morën pjesë në protestat që ndodhën në Stamboll me rastin e 1 Majit.

Tubimet u shoqëruan me masa të rrepta nga policia turke, me qëllim parandalimin e marshimeve dhe demonstratave në sheshin emblematik Taksim.

Prefektura e Stambollit njoftoi se u arrestuan 384 protestues dhe se në terren u mobilizuan 52,656 oficerë policie. Megjithatë, disa media dhe organizata opozitare e rritën numrin e të arrestuarve në 400 , përfshirë nëntë avokatë.

Arrestimet u kryen kryesisht në lagjet Mecidiyeköy, Sisli dhe Besiktas, në anën evropiane të Stambollit. Historikisht, sheshi Taksim mbetet në kujtesën kolektive të opinionit publik turk si një simbol i tubimeve të 1 Majit, pasi në vitin 1977 atje u vranë më shumë se 34 demonstrues.

Kryetari i Partisë Republikane Popullore (CHP), Özgür Özel, ishte gjithashtu i pranishëm në këto tubime. "Nëse sheshe si Taksimi mbahen peng, të bllokuara, atëherë ka autoritarizëm në vend. Duke parë sheshin Taksim sot, pasiguria e qeverisë është e dukshme”, tha Özel.

Që në mëngjes herët, të gjitha rrugët në qendër të Stambollit, në anën evropiane të qytetit, u bllokuan. Disa rrugë filluan të rihapen për trafikun në mesditë, megjithatë shumica e rrugëve, veçanërisht ato që të çojnë në Sheshin Taksim, do të mbeten të mbyllura deri vonë natën në një zonë të madhe në të gjithë qendrën e Stambollit në anën evropiane, ashtu si edhe stacionet e metrosë.

Në anën aziatike, u bllokua Kandikioi, ku u zhvillua mbledhja qendrore e sindikatave të krahut të majtë DISK dhe KESK ku bëjnë pjesë punonjësit publikë.

Ndërkohë në Kartal, u zhvillua një mbledhje e sindikatave pro-qeveritare, nën sundimin e Turk-Isëve.

Guvernatori i Stambollit, Davut Gul, tha se demonstratat lejohen në distriktet e Kandikioi dhe Kartal, në bregdetin aziatik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos