Putin takon kryeministrin sllovak: Rusia nuk do të sulmojë Evropën! Fico: Po krijohet rend i ri botëror, BE të mos sillet si fëmijë

Nga A2 CNN
2 Shtator 2025, 13:33 | Bota

Presidenti rus Vladimir Putin është takuar sot në Kinë me kryeministrin sllovak Robert Fico. Kreu i Kremlinit hodhi poshtë deklaratat se Rusia ka ndërmend të sulmojë Europën, duke i cilësuar ato provokim ose paaftësi.

"Lidhur me planet agresive të Rusisë ndaj Evropës, dua të theksoj edhe një herë se kjo është një absurditet i plotë, pa asnjë bazë. Fakti që një lloj histerie po nxitet vazhdimisht në lidhje me planin e supozuar të Rusisë për të sulmuar Evropën, mendoj se është i qartë për njerëzit me mendje të shëndoshë: është ose një provokim ose paaftësi e plotë. Çdo person i shëndoshë mendërisht është plotësisht i vetëdijshëm se Rusia nuk ka pasur kurrë, nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë dëshirën për të sulmuar askënd", tha Putin.

Nga ana e tij kryeministri sllovak foli për gjetjen e mundësive dhe zgjerimin e bashkëpunimit me Rusinë.  

“Ne duhet të shqyrtojmë mundësitë për të thelluar dhe zgjeruar bashkëpunimin tonë, për të gjetur fusha ku mund të punojmë ngushtë së bashku”, tha Fico.

Kryeministri sllovak do të takohet të premten me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, pas takimit me udhëheqësit rusë dhe kinezë Vladimir Putin dhe Xi Jinping në Pekin. Ai e njoftoi vetë lajmin në një video të postuar në mediat sociale.

“Po krijohet një rend i ri botëror, rregulla të reja për një botë shumëpolare, një ekuilibër i ri pushteti, i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm për stabilitetin ndërkombëtar. Të jesh pjesë e këtyre diskutimeve do të thotë të mbështesësh dialogun dhe të mos sillesh si një fëmijë i ofenduar. Kështu sillen Bashkimi Evropian dhe përfaqësuesit e tij", u shpreh Fico.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos