Putin urdhëroi vrasjen e ish-spiunit: “Parfumi” me helm mund të vriste mijëra njerëz

Nga Rosalba Bejdo
4 Dhjetor 2025, 15:14 | Bota

Presidenti Vladimir Putin urdhëroi sulmin me agjentin nervor Novichok ndaj agjentit të dyfishtë të Rusisë, Sergei Skripal, në vitin 2018, në një shfaqje të rrezikshme të pushtetit, që çoi në vdekjen e një gruaje të pafajshme. Në këtë përfundim arrin një hetim publik i Mbretërisë së Bashkuar, i zbuluar të enjten.

Skripal u gjet pa ndjenja së bashku me vajzën e tij, Julia, në një stol publik të qytetit jugor të Salisbury-t në mars të vitit 2018, pasi agjenti helmues Novichok ishte hedhur në bravën e banesës së tij pranë zonës. Viktimat e sulmit u sëmurën rëndë, por më vonë u rikuperuan.

Por katër muaj më vonë, nëna e tre fëmijëve, Dawn Sturgess, 44 vjeçe, vdiq si pasojë e ekspozimit ndaj helmit pasi partneri i saj gjeti një shishe të falsifikuar parfumi, të cilën rusët e kishin përdorur për të futur agjentin kimik të shkallës ushtarake në vend.

“Tre burra rusë që ishin anëtarë të agjencisë së inteligjencës GRU hynë në Mbretërinë e Bashkuar më 2 mars të vitit 2018 me qëllimin për të vrarë Sergei Skripal. Dhe ata planifikuan ta vrisnin atë duke përdorur Novichok. Jam i sigurt se duhet të kenë vepruar sipas udhëzimeve të marra nga eprorët e tyre. Dhe kam arritur në përfundimin se operacioni për vrasjen e Sergei Skripal duhet të jetë autorizuar në nivelin më të lartë, në fakt, nga Presidenti Putin”, tha hetuesi Anthony Hughes.

Hetuesit thanë se dy shtetasit rusë, që kishin spërkatur bravën e shtëpisë së Skripal, e kishin hedhur shishen që përmbante helmin pa marrë aspak në konsideratë rrezikun që ajo përbënte për qytetarët e pafajshëm. Sipas raportit, shishja e kontaminuar përmbante helm të mjaftueshëm për të vrarë mijëra njerëz.

Agjenti rus Skripal, i vënë në shënjestër të sulmit, i kishte shitur sekretet e Rusisë Britanisë së Madhe dhe ishte zhvendosur atje që prej vitit 2010. Moska ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në ngjarje, duke i cilësuar akuzat si propagandë anti-ruse. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos