
Zyrtarët në Estoni po përgatiten për një skenar pushtimi nga Rusia. Arma e parë që ata po mendojnë është siguria digjitale, e cila në një rast të tillë do të duhet të funksionojë jashtë vendit, pikërisht në atë vend ku do të strehohet qeveria në emigracion.
Vendi baltik me 1.3 milionë banorë, i cili ndan një kufi prej 294 kilometrash me Rusinë, ka frikë se do të jetë një objektiv kryesor nëse Moska do të pushtojë një vend të Bashkimit Evropian. Shërbimet e sigurisë kanë paralajmëruar tashmë se Rusia po zhvillon një luftë hibride kundër Evropës, dhe Estonia e ka fajësuar Moskën për gjithçka, nga sulmet kibernetike te komplotet për zjarrvënie e deri te ndërprerjet e kabllove të të dhënave nënujore.
Talini po përgatitet të zhvendosë shërbimet e tij publike në “I-cloud” “ose kur qendrat e të dhënave të shkatërrohen ose kur të ketë ushtarë në terren dhe ne nuk mund të operojmë”, tha Tõnu Grünberg, një arkitekt i strategjisë së re dhe ish-zëvendëssekretar i përgjithshëm për infrastrukturën dixhitale dhe sigurinë kibernetike në Ministrinë e Drejtësisë dhe Çështjeve Digjitale të Estonisë.
Estonia tashmë ka një kopje rezervë të të dhënave në “ambasadën e saj digjitale” në Luksemburg , në fakt një kopje të planit të vendit që përfshin gjithçka, nga regjistrat e qytetarëve te regjistrat e tokës dhe kodin e saj ligjor.
“Tani duam të jemi vërtet online, çfarëdo që të ndodhë”, tha Grünberg. “Të gjitha shërbimet kritike mbeten online… Gjithçka duhet të mbetet funksionale”.
Qeveria estoneze po ndërton aplikacione të sigurta në ofruesit e shërbimeve cloud, duke përfshirë Microsoft Azure dhe Amazon Ëeb Services, si dhe në platformën e vet shtetërore cloud. Vendi po e dërgon sistemin në ambasadën e saj të të dhënave dhe në vende të tjera në Evropë, tha Grünberg, i cili filloi një punë si CEO i ofruesit të infrastrukturës teknologjike Levira këtë muaj.
Rreziku për shërbimet dixhitale ka qenë i dukshëm për estonezët që nga viti 2007, kur vendi u përball me një valë sulmesh kibernetike që zgjatën 22 ditë dhe rrëzuan një pjesë të madhe të shërbimeve tregtare dhe qeveritare. Autoritetet e vendit më vonë ia atribuan sulmet Rusisë.
Incidenti ishte në shumë mënyra sulmi i parë kibernetik modern në shkallë të gjerë që synonte një vend. Ai e shtyu Talinin të rishikonte të gjithë infrastrukturën e tij digjitale, duke e bërë Estoninë atë që disa e konsiderojnë shtetin më të digjitalizuar në botë. (A2 Televizion)