
Policia Kufitare e Korçës ka arrestuar një 57-vjeçar nga Maqedonia e Veriut të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ai u kap në pikën kufitare të Goricës pasi kërkohet nga Interpol Vjena, sepse akuzohet për tentativë vrasjeje në Austri, ndërsa Gjykata Rajonale e Vjenës i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. 57-vjeçari i arrestuari pritet të ekstradohet drejt Austrisë.
“Shërbimet e Policisë Kufitare Goricë kapën në hyrje të Republikës së Shqipërisë, shtetasin maqedonas T. P., 57 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Vjena, Austri, pasi Gjykata Rajonale e Vjenës, me vendimin e datës 04.08.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja”, mbetur në tentativë”, njofton policia.
Ndërkohë, në pikën kufitare të Kapshticës u zbuluan dy raste të kontrabandës. Gjatë kontrollit të dy autobusëve, policia gjeti cigare, produkte ushqimore, medikamente, vaj dhe pjesë automjetesh të dyshuara të kontrabanduara.
Në përfundim të veprimeve, u arrestua në flagrancë një 55-vjeçar nga Tirana, ndërsa një tjetër 29-vjeçar u procedua në gjendje të lirë. Të gjitha mallrat u sekuestruan si prova materiale.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.
(A2 Televizion)