
Një ushtar amerikan i mbijetuar i sulmit iranian ndaj një qendre të improvizuar operacionesh në portin Shuaiba të Kuvajtit ka dorëzuar një ankesë, ku akuzon Pentagonin se nuk mori parasysh paralajmërimet për mungesën e mbrojtjes së duhur të trupave amerikane. Kjo është raportuar nga CNN që ka siguruar dhe të dokumentit.
Majori i Ushtrisë Amerikane, Stephen Ramsbottom, pretendon se drejtuesit ushtarakë u informuan vazhdimisht për rrezikun nga sulmet ajrore dhe dronët, por shqetësimet e tij u shpërfillën. Sipas tij, kur kërkoi masa shtesë mbrojtëse, iu përgjigjën se nuk kishte arsye për t'u shqetësuar.
Në ankesën e dorëzuar javën e kaluar në komisionet e Forcave të Armatosura në Kongresin amerikan, Ramsbottom e cilëson sulmin e 1 marsit si një “dështim taktik” të ushtrisë dhe drejtuesve të saj.
Sipas dëshmisë së majorit, qendra ishte e rrethuar vetëm me barriera betoni, të cilat mund të mbronin nga bomba të vendosura në automjete, por jo nga dronët apo raketat. Ai tha gjithashtu se në momentin e sulmit nuk kishte mjek, një pikë të përhershme ndihme të shpejtë apo ambulanca të mjaftueshme.
Ramsbottom pretendon se ishte premtuar dërgimi i një sistemi kundër dronëve, por ai nuk mbërriti kurrë në bazë.
Nga sulmi iranian mbetën të vrarë gjashtë ushtarë rezervistë amerikanë, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën, mes tyre edhe Ramsbottom. Ata ishin ushtarakët e parë amerikanë të vrarë në luftën me Iranin.
Ankesa vjen në një kohë kur demokratët në Kongres pritet të nisin hetime të gjera mbi administratën Trump dhe mënyrën se si është menaxhuar lufta me Iranin. Ndërkohë, senatori Richard Blumenthal i ka kërkuar sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, të japë shpjegime në një seancë informuese konfidenciale dhe të vërë në dispozicion të gjitha vlerësimet për sigurinë e trupave në portin Shuaiba. (A2 Televizion)