
Kremlini ka ashpërsuar qëndrimin në negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë, duke kërkuar jo vetëm kontrollin e Donbasit, por edhe të rajoneve Zaporizhzhia dhe Kherson, si dhe përjashtimin përfundimtar të Kievit nga NATO.
Moska rikthehet te kushtet e vendosura nga presidenti Vladimir Putin në qershor 2024, duke hedhur poshtë propozimin amerikan për një marrëveshje që parashikonte lëshime territoriale në Donbas në këmbim të anëtarësimit të Ukrainës në NATO.
Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, deklaroi se Moska synon të arrijë objektivat e përcaktuara nga presidenti Vladimir Putin në qershor të vitit 2024. Në atë kohë, Putin kërkoi tërheqjen e forcave ukrainase nga Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson, si dhe heqjen dorë nga anëtarësimi në NATO.
Këto kushte rrëzojnë edhe propozimin e fundit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për një zgjidhje të mundshme mbi Donbasin përmes një referendumi. Sipas Lavrovit, Zelensky po ndjek një strategji të tijën në negociata, ndërsa Moska vlerëson më pozitivisht bisedimet me përfaqësuesit amerikanë.
Teksa ka kritikuar përpjekjet e vendeve evropiane për t'u përfshirë në negociata në momentin e fundit, Kremlini tha se Rusia do të duhet të përdorë forcën për të arritur qëllimet e saj nëse nuk ka perspektivë për të arritur një marrëveshje me Evropën
Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, theksoi se nëse BE nuk dëshiron paqe, nuk ka kuptim të diskutohet një zgjidhje për konfliktin në Ukrainë ose për kuadrin e sigurisë së BE-së.
“Europianët nuk janë në gjendje të marrin vendime të caktuara në kohën e duhur sepse janë të ndarë. Kjo ngadalëson çdo proces. Do të shohim nëse ata mund të gjejnë kapacitetin dhe vendosmërinë e nevojshme për të arritur një qëndrim të përbashkët dhe për të vepruar shpejt. Deri më tani, ata nuk kanë pasur sukses. Natyrisht, në një moment do të duhet ta diskutojmë këtë me evropianët . Pyetja është nëse ata me të vërtetë duan paqe. Nëse nuk e duan, diskutime të tilla do të ishin të pakuptimta", tha ai.
Ndërkohë, Estonia ka njoftuar se do të mbyllë kufirin me Rusinë nga 1 dhjetori, pas një tentative të parandaluar për zjarrvënie në një fabrikë dronësh, për të cilën autoritetet estoneze kanë akuzuar shërbimet sekrete ushtarake ruse. Ministri i Jashtëm estonez, Margus Tsahkna e njoftoi lajmin në X:
"Estonia do të mbyllë të gjitha pikat kufitare midis Estonisë dhe Rusisë duke filluar nga 1 dhjetori. Rusia duhet të kuptojë se veprimet armiqësore kundër Estonisë kanë pasoja. Përpjekjet për të frikësuar, destabilizuar ose minuar sigurinë tonë nuk do të mbeten pa përgjigje. Mbyllja e pikave kufitare do të zvogëlojë aftësinë e Rusisë për të kryer aktivitete armiqësore në Estoni dhe do të forcojë përpjekjet tona për të parandaluar shmangien e sanksioneve", shkroi ministri i jashtëm estonez.
(A2 Televizion)