
Tensionet në Lindjen e Mesme janë rikthyer sërish në qendër të vëmendjes pas sulmeve ajrore amerikane pranë Ngushticës së Hormuzit, të cilat Irani i ka cilësuar si një “shkelje të rëndë të armëpushimit” të arritur në muajin prill.
Ministria e Jashtme iraniane deklaroi se SHBA-të mbajnë përgjegjësi të plotë për pasojat e veprimeve të tyre “agresive dhe të pajustifikuara” në rajonin e Hormozganit, zonë strategjike përgjatë Ngushticës së Hormuzit. Kjo rrugë ujore konsiderohet jetike për tregtinë globale të naftës, pasi përmes saj kalon rreth një e pesta e furnizimit botëror.
Sipas Komandës Qendrore Amerikane (CENTCOM), forcat amerikane kanë ndërmarrë sulme “vetëmbrojtëse” ndaj pozicioneve raketore iraniane dhe anijeve që dyshohej se po vendosnin mina detare në jug të Iranit.
“Republika Islamike e Iranit nuk do të lërë asnjë agresion pa përgjigje dhe nuk do të hezitojë të mbrojë kombin iranian”, thuhet në deklaratën zyrtare të Teheranit.
Mediat iraniane raportuan më herët për shpërthime të forta në zonën e Bandar Abbas, ndërsa Garda Revolucionare Iraniane (IRGC) pretendoi se kishte rrëzuar një dron amerikan dhe kishte goditur një avion luftarak që kishte hyrë në hapësirën ajrore iraniane. (A2 Televizion)