Ruel Domi, në një lidhje direkte me studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN, deklaroi se raketa iraniane kanë arritur deri në Europë.
“Në bindjen time e drejta ndërkombëtare nuk është shkelur, sepse arsyeja për të vajtur në luftë ose për të shkaktuar një konflikt ka të bëjë me legjitimitetin e interesave të një kombi dhe sigurinë më bazike të interesave të këtij kombi. Pra, në momentin kur Irani ndërton armë bërthamore, në momentin kur Irani mbështet grupe terroriste si Hamasi, Hezbollahu për të goditur gjithë vendet aty, në momentin kur Irani dhe lidershipi i tij bërtet “Vdekje Amerikës”, “Vdekje Izraelit”, sigurisht që këto në mënyrë shumë legjitime mund të interpretohen si dëshirë e Iranit për të shkaktuar dëme ndaj vendeve të zonës, ndaj Izraelit dhe ndaj amerikanëve. Mos harrojmë që për shembull Irani ka raketa që mund të prekin Evropën. Tani pyetja që lind është: çfarë i duhen Iranit raketat interbalistike që mund të prekin Evropën? Një lajm sot që lexova unë nga “The Times of Israel”, një gazetë në Izrael, fliste për një apo dy raketa iraniane që kishin prekur territorin e Qipros. Pra, qartësisht këtu tregon që është një regjim që kërkon dominancë, kërkon hegjemoni në atë rajon dhe arsyeja për të ndaluar hegjemoninë e një vendi apo të një regjimi sigurisht që ekziston dhe duke u bazuar te kjo unë mendoj që nuk është shkelur ligji ndërkombëtar”, tha Domi.
(A2 Televizion)