
Pavarësisht armëpushimit, Rusia i vë flakën Ukrainës. Kievi ka akuzuar Moskën për lëshimin e 108 dronëve dhe disa raketave duke shënjestruar disa rajone, përfshirë Harkivin dhe Zaporizhian. Forcat ruse goditën një çerdhe në qendër të Sumy-t, raportojnë autoritetet lokale, shkruan A2 CNN. Armëpushimi i dhënë nga Ukraina filloi në mesnatë të mërkurën, më 6 maj, por Volodymyr Zelensky akuzon Kremlinin se ka sulmuar disa zona të vendit, duke rezultuar në të paktën 20 vdekje.
“Vendimi i Rusisë përfaqëson një shpërfillje të hapur të armëpushimit dhe mbrojtjes së jetëve njerëzore”, shkroi Presidenti në X. “Ukraina tha se do të vepronte në përputhje me rrethanat, duke marrë parasysh thirrjet e përsëritura të Rusisë për armëpushim gjatë paradës së Moskës. Është e qartë për çdo person të arsyeshëm se një luftë në shkallë të plotë dhe vrasja e përditshme e njerëzve nuk janë një kohë e përshtatshme për ‘festime’ publike. Bazuar në raportet e mbrëmjes nga forcat tona të armatosura dhe inteligjenca, ne do të vendosim për hapat tanë të mëtejshëm”, paralajmëroi ai.
Ndërkohë, edhe Rusia ka bërë pretendimet e saj. Moska njoftoi shpejt se kishte shkatërruar 53 dronë të Kievit “mbi territoret e rajoneve të Belgorodit, Bryansk dhe Kursk, rajonin e Moskës, Republikën e Krimesë dhe Detin e Zi”, sipas agjencisë së lajmeve Tass. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, shpjegoi: “Ky është një akt terrorizmi nga regjimi i Kievit, tërbimi neonazist i të cilit është intensifikuar në prag të 9 majit”.
“Rusia do t'i përgjigjet idesë europiane të imponimit të paqes me forcë duke mbjellë frikë të lashtë në Europë”, deklaroi zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë Ruse, Dmitry Medvedev, në një artikull për Russia Today. Sipas tij, vetëm Gjermania dhe një Europë e bashkuar, duke njohur pashmangshmërinë e dëmit, do ta ndalojnë zbatimin e planit “Barbarossa 2.0”. (A2 Televizion)