
Shtetet e Bashkuara dhe Irani po afrohen drejt një marrëveshjeje mbi një memorandum njëfaqësh për t'i dhënë fund luftës në Gjirin Persik, tha për Reuters një burim nga ndërmjetësi Pakistan, i njohur me negociatat, shkruan A2 CNN.
Burimi pakistanez tha se një raport i mëparshëm nga media amerikane Axios mbi memorandumin e propozuar ishte i saktë. Raporti i Axios kishte cituar dy zyrtarë amerikanë dhe dy burime të tjera të njohura me diskutimet.
"Do ta mbyllim këtë shumë shpejt. Po i afrohemi", tha burimi pakistanez. Muajin e kaluar, Pakistani priti bisedimet e vetme për paqe gjatë luftës deri më tani dhe ka vazhduar në atë rol të ndërmjetësit, duke përcjellë propozime midis palëve, përcjell A2 CNN.
Raportet për një marrëveshje të mundshme për t'i dhënë fund luftës, shkaktuan rënie të çmimeve globale të naftës, me kontratat e ardhshme të naftës së papërpunuar Brent që ranë me më shumë se 8% në rreth 100 dollarë për fuçi.
Çmimet globale të aksioneve gjithashtu u rritën dhe rendimentet e obligacioneve ranë për shkak të optimizmit për përfundimin e një lufte që ka ndërprerë furnizimet me energji. (A2 Televizion)