Qëllohet anija franceze, Trump pezullon “Projektin e Lirisë”, Irani e feston si fitore

Nga Xhevahir Qardaku
6 Maj 2026, 11:04 | Bota

Amerika pezullon “Projektin e Lirisë” në Hormuz. Këtë e konfirmon vetë presidenti Donald Trump përmes Truth Social, ndërsa saktëson se SHBA-të po ndalojnë operacionin e tyre për të shoqëruar anijet e bllokuara përmes Ngushticës. Në postimin e tij në rrjetet sociale, kreu i Shtëpisë së Bardhë thotë se pauza do të zgjasë “për një periudhë të shkurtër kohore” për të parë nëse një marrëveshje paqeje me Iranin “mund të finalizohet”.

Ai gjithashtu thotë se bllokada e SHBA-së ndaj porteve të Iranit do të vazhdojë. Mediat shtetërore iraniane e cilësojnë këtë veprim si një fitore, duke thënë se Trump është “tërhequr” dhe e akuzojnë presidentin se po përpiqet të “mbulojë dështimin” e operacionit të tij. Por lideri amerikan mendon ndryshe lidhur me këtë dhe këshilloi Teheranin që të dorëzohet.

“Ata (Irani) duhet të tundin dorën, ata janë shumë krenarë, ndoshta nuk do të shihni një flamur të bardhë, por në thelb kjo është ajo që po bëjnë tashmë. Ata duhet të ngrenë flamurin e bardhë të dorëzimit”, deklaroi Trump.

Menjëherë pas pezullimit të “Projektit të Lirisë” erdhën incidentet. Një anije franceze kontejnerësh, Sant'Antonio, u godit ndërsa po kalonte nëpër Ngushticën e Hormuzit. Gjigandi francez i transportit detar CMA CGM njoftoi incidentin në një deklaratë, duke shpjeguar se disa anëtarë të ekuipazhit u plagosën dhe anija pësoi dëme. Anëtarët e plagosur të ekuipazhit u evakuuan dhe po marrin kujdes mjekësor, thuhet në deklaratë.

Ndërkohë, të martën, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha se faza ofensive e luftës në Iran ka “mbaruar” dhe se SHBA-të i kanë arritur objektivat e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos