
Avionët luftarakë të NATO-s u vunë në gatishmëri në Evropën Lindore mëngjesin e së martës, ndërsa Rusia ndërmori një sulm të ri ajror ndaj Ukrainës, i cili shkaktoi të paktën nëntë viktima në rajonin e Kievit.
Misioni i NATO-s për patrullimin ajror në rajonin e Baltikut bëri të ditur se po reagonte ndaj situatës, ndërsa Finlanda dhe Letonia kufizuan trafikun ajror dhe detar pranë Rusisë, ndërsa sulmi ndaj Ukrainës po zhvillohej.
Edhe pikat e kalimit kufitar me Rumaninë u prekën, pasi Rusia vuri në shënjestër rajonin Izmail të Ukrainës. Sulmi i fundit ajror i Rusisë përfshiu si raketa, ashtu edhe dronë, duke plagosur dhjetëra persona në vendin e goditur nga lufta.
Kievi e shënjestroi Moskën në kundërpërgjigjen e tij, ndërsa kryebashkiaku i kryeqytetit rus, Sergei Sobyanin, tha se një duzinë dronësh u rrëzuan ndërsa po i afroheshin Moskës.
Në rajonin veriperëndimor rus të Leningradit, ku ndodhen porte të rëndësishme eksporti, zyrtarët thanë se forcat ajrore ruse po qëllonin ndaj dronëve.
Kjo ndodhi pavarësisht mesazhit të Volodymyr Zelenskyt mbrëmjen e kaluar, ku ai tha se kishte zhvilluar një bisedë “të detajuar dhe konstruktive” me të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, për të rënë dakord mbi datat e vizitës së tyre në Kiev për bisedimet e paqes.
(A2 Televizion)