Shtetet e Bashkuara janë të vetëdijshme se Rusia po përgatit planin e hakmarrjes ndaj Ukrainës. Është ambasadori i SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker, i cili ka bërë të ditur se Moska po rindërton ushtrinë e tij ndërsa konflikti në Ukrainë vijon dhe thellohet.
"Urgjenca e momentit është e pamohueshme. Ndërsa konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës vazhdon, Moska tashmë po përgatit hapin e saj të radhës. Ne tashmë po e shohim Kremlinin duke u përpjekur të rindërtojë ushtrinë e tij. Aleatët e NATO-s duhet të ecin përpara Rusisë. Nuk kemi zgjidhje tjetër. Më lejoni të jem i qartë: koha për të vepruar ka ardhur. Ne kemi nevojë për një aleancë të ndërtuar për kërcënimet e vitit 2025 dhe më tej, jo për fushat e betejës së djeshme", tha ambasadori i SHBA në NATO.
Një përshkallëzim të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës e ka konfirmuar i dërguari i Trump, Keith Kellogg. Në një intervistë me Fox News, ka bërë të ditur se rreziku i përshkallëzimit po "rritet në mënyrë dramatike" pasi Ukraina goditi bombarduesit rusë në Siberi.
"Po ju them se nivelet e rrezikut po rriten në mënyrë dramatike, siç dëshmohet nga ajo që ndodhi këtë fundjavë. Njerëzit duhet ta kuptojnë se në hapësirën e sigurisë kombëtare, kur sulmon pjesën e sistemit të mbijetesës kombëtare të një kundërshtari, që është triada e tyre, triada bërthamore, kjo do të thotë se niveli i rrezikut rritet, sepse nuk e di se çfarë do të bëjë pala tjetër", deklaroi Kellog.
Sakaq, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka shuar zërat për një tërheqje të trupave amerikane nga Europa. "Për momentin nuk ka plane që Shtetet e Bashkuara të tërheqin trupat nga Evropa. Ajo që dimë është se Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të përkushtuara ndaj NATO-s", tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në një konferencë për shtyp përpara takimit të ministrave të mbrojtjes dhe Grupit të Kontaktit për Ukrainën.
"Ata presin që aleatët evropianë dhe kanadezë të shpenzojnë shumë më tepër. Pse do të shpenzonin ata një përqindje X për mbrojtje, dhe pastaj pjesa tjetër e aleancës të shpenzojë më pak? Pra, ne duhet të rrisim shpenzimet para së gjithash, sepse duhet të përmbushim të gjitha ato objektiva aftësish dhe të mbushim boshllëqet", shtoi ai. (A2 Televizion)