
Lionel Messi i ka dhënë lamtumirën kombëtares së Argjentinës, duke mbyllur një kapitull të jashtëzakonshëm që zgjati më shumë se dy dekada.
Pas mbi 200 ndeshjesh me fanellën e “Albicelestes”, qindra gola e asistime, si dhe momente të paharrueshme gëzimi e zhgënjimi, numri 10 argjentinas ka vendosur të tërhiqet nga futbolli ndërkombëtar.
Messi, i cili me Argjentinën ka fituar një Kupë Bote dhe dy Kupa të Amerikës, e ka komunikuar vendimin pas përfundimit të Botërorit 2026, ku skuadra e tij u rendit nënkampione.
“Pas gjithë kësaj kohe që ka kaluar nga finalja, pasi e kam menduar gjatë, dua t’ju komunikoj të gjithëve se tërhiqem nga Kombëtarja. Ishte një vendim që më dhembi dhe vazhdon të më dhembë në shpirt, por e kuptoj se ka ardhur momenti”, shkruan Messi, përcjell A2.
Ylli argjentinas theksoi se gjatë gjithë karrierës së tij me kombëtaren ka dhënë gjithçka për fanellën e Argjentinës: “Ju betohem se gjithmonë kam dhënë gjithçka, jo vetëm në vitet e fundit kur fituam gjithçka, por edhe më parë. Gjithmonë kam luftuar dhe jam angazhuar maksimalisht për këtë fanellë, për t’ju dhuruar gëzime dhe për t’ju bërë krenarë që jeni argjentinas, përmes futbollit”.
Messi pranoi se largimi është një moment i dhimbshëm, por shtoi se brezi i ri meriton të ketë hapësirën e tij.
“E dua, e kam dashur dhe do ta dua gjithmonë Kombëtaren. Jam bosh, nuk kam më për të dhënë. Për më tepër, pas nesh po vijnë lojtarë shumë të mëdhenj që meritojnë të jenë aty”, shkroi kapiteni i Argjentinës.
Pas 21 vitesh nga debutimi i tij me kombëtaren, Messi largohet duke realizuar thuajse çdo ëndërr që kishte me fanellën argjentinase. Messi udhëhoqi Argjentinën drejt fitimit të Kupës së Amerikës, më pas drejt triumfit në Kupën e Botës dhe një tjetër suksesi kontinental, duke i dhënë fund një pritjeje të gjatë të kombit argjentinas për trofe madhorë. (A2 Televizion)