
Liverpool ka konfirmuar transferimin e Bradley Barcola nga Paris Saint-Germain për 145 milionë euro. Barcola, 23 vjeç, ka firmosur një kontratë pesëvjeçare me klubin anglez, duke u larguar nga kampionët në fuqi të Europës.
Liverpool arriti një marrëveshje me PSG-në javën e kaluar, pas disa javësh negociatash për të ulur vlerësimin e klubit francez, i cili fillimisht kërkonte rreth 169 milionë euro. “Është një krenari e madhe të luaj për Liverpoolin. Jam shumë i lumtur”, tha Barcola. “U desh shumë kohë, por sot jam vërtet i lumtur që mund të luaj për Liverpoolin. Gjithçka që dua është të jem në fushë dhe të luaj. Shpresoj të arrij gjëra shumë të mëdha. Para së gjithash, të fitoj Premier League-n – është një nga ëndrrat e mia më të mëdha në jetë. Dua ta bëj këtë dhe të qëndroj në këtë skuadër për një kohë të gjatë. Kjo është arsyeja pse firmosa një kontratë afatgjatë dhe shpresoj t’ia dal. Kam pasur mundësinë të luaj dy herë në këtë stadium, Anfield, dhe e kam parë atmosferën dhe mënyrën se si tifozët qëndrojnë pas lojtarëve të Liverpoolit. Kur mësova për interesimin e Liverpoolit për mua, nuk bëra pyetje dhe e dija se ishte një klub shumë i madh për mua”.
Barcola ka qenë objektivi kryesor i Liverpoolit prej disa muajsh, teksa klubi anglez kërkonte një zëvendësues për Mohamed Salah, pas transferimit të egjiptianit te Trabzonspor.
Më herët, Liverpool kishte synuar edhe Yan Diomanden dhe kishte bërë një ofertë për të, por ajo u refuzua. Sulmuesi përfundoi më pas te Real Madrid, shkruan A2 CNN.
Negociatat për Barcola u drejtuan nga drejtori sportiv Richard Hughes dhe presidenti i Fenway Sports Group, Mike Gordon.
Barcola është formuar në akademinë e Lyonit, ndërsa tre sezonet e fundit i ka kaluar te PSG-ja. Me klubin francez ai ka fituar dy Champions League dhe tre tituj të Ligue 1.
Sulmuesi anësor përfaqësoi Francën në Kupën e Botës këtë verë dhe shënoi kundër Anglisë në ndeshjen për vendin e tretë. Në total, Barcola ka shënuar 39 gola në 152 ndeshje me PSG-në. (A2 Televizion)