Elon Musk ka shprehur pendesë për disa nga komentet e tij të fundit në adresë të presidentit Donald Trump, pas një përplasjeje publike të ashpër që shkaktoi tronditje në skenën politike amerikane.
Në një postim të bërë në platformën e tij X të mërkurën në mëngjes, Musk shkroi: “Më vjen keq për disa nga postimet e mia rreth presidentit Donald Trump javën e kaluar. Ato shkuan shumë larg.”
Komentet e tij vijnë vetëm disa ditë pas përplasjes së ashpër më 5 qershor, ku CEO i Tesla-s dhe SpaceX akuzoi Trump për përfshirje në dosjet e Jeffrey Epstein dhe sugjeroi që presidenti nuk do të kishte fituar zgjedhjet e 2024-ës pa mbështetjen e tij. Musk kishte kërkuar publikisht edhe shkarkimin e Trump, duke shkaktuar reagime të forta në qarqet politike dhe të biznesit.
Trump nuk vonoi me kundërpërgjigjen, duke e përshkruar gjendjen e Tesla-s si “të vështirë” dhe duke e quajtur Musk “të lodhur” që nga largimi nga Shtëpia e Bardhë në fund të majit.
Ndërkohë, është raportuar gjithashtu për një incident fizik mes Musk dhe Sekretarit të Thesarit brenda ambienteve të Shtëpisë së Bardhë, megjithëse detajet mbeten të paqarta.
Musk ka fshirë tashmë pretendimin për përfshirjen e Trump në dosjet e Epstein, postim që ishte bërë më herët dhe që u tërhoq pas vetëm dy ditësh. Ai nuk specifikoi se cilat postime i konsideron si të tepruara, por tërheqja e tij sinjalizon një përpjekje për të zbutur tensionet mes tij dhe presidentit. (A2 Televizion)