SHBA, krime lufte në Iran? Ekspertët e OKB: Baza të arsyeshme për të besuar diçka të tillë

Nga Rosalba Bejdo
18 Shtator 2026, 10:51 | Bota

Ekspertët e të drejtave të njeriut të Kombeve të Bashkuara thonë se ka baza të arsyeshme për të besuar se Shtetet e Bashkuara kanë kryer krime lufte në dy sulme në Iran, ku mbetën të vrarë të paktën 177 civilë.

Në një raport të ri, Misioni Ndërkombëtar i Pavarur për Gjetjen e Fakteve në Iran thotë se sulmet me raketa, në shkurt, ndaj një shkolle fillore në Minab dhe një kompleksi sportiv në Lamerd ishin sulme pa dallim, që shkaktuan viktima civile dhe dëme në infrastrukturën civile.

Shtetet e Bashkuara kanë mohuar më herët se kanë goditur Lamerdin, ndërsa për incidentin në Minab kanë deklaruar se po zhvillojnë hetime. Një zyrtar i Departamentit të Shtetit tha se Uashingtoni nuk i konsideron të besueshme gjetjet e raportit.

Ekspertët akuzojnë gjithashtu autoritetet iraniane për krime kundër njerëzimit gjatë shtypjes së protestave masive antiqeveritare në janar. Sipas raportit, vrasjet nga forcat e sigurisë ndodhën në një shkallë “tronditëse dhe të paprecedentë” në të 31 provincat.

Irani ende nuk ka komentuar raportin, por më herët ka mohuar akuzat për shkelje sistematike të të drejtave të njeriut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos