
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar një paketë ligjore që synon forcimin e kontrollit dhe transparencës mbi kontratat publike, koncesionet dhe përdorimin e fondeve apo pasurive publike.
Sipas PD-së, paketa parashikon gjurmimin, kontrollin dhe vlerësimin e mënyrës se si përdoren fondet dhe pasuritë publike, si dhe dhënien e rekomandimeve apo marrjen e masave në rast të problematikave.
Deputeti i PD-së, Enno Bozdo, deklaroi se gjatë pesë viteve të fundit qeveria Rama ka shënuar, sipas tij, rekorde negative sa i përket korrupsionit dhe përdorimit të fondeve e pasurive publike.
“Qeveria e Edi Ramës ka shënuar rekorde negative të padëgjuara për sa i përket korrupsionit, grabitjes së fondeve publike dhe pasurive publike”, u shpreh Bozdo.
Ndërsa deputeti Ivi Kaso tha se kuadri aktual ligjor nuk garanton, sipas tij, transparencë të mjaftueshme për pronat dhe paratë publike që kalojnë te subjektet private përmes kontratave.
“Sot, kuadri ligjor nuk garanton transparencë për pronat dhe paratë publike që kalojnë me kontrata te privati”, deklaroi Kaso. (A2 Televizion)