
Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord të zhvillojnë negociata të mëtejshme të drejtpërdrejta, “në një kohë dhe vend të përcaktuar reciprokisht”, pas bisedimeve të mbajtura në Uashington.
Lajmi u bë i ditur nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së, i cili theksoi se këto janë kontaktet e para të drejtpërdrejta mes dy vendeve pas disa dekadash.
Sipas deklaratës zyrtare, Shtetet e Bashkuara shpresojnë që negociatat të shkojnë përtej marrëveshjes së vitit 2024 dhe të çojnë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse paqeje në rajon.
Uashingtoni nënvizoi se çdo marrëveshje për ndërprerjen e armiqësive duhet të arrihet mes dy qeverive, me ndërmjetësimin e SHBA-së, duke përjashtuar kanale të tjera alternative.
Po ashtu, SHBA theksoi se këto bisedime mund të hapin rrugën për ndihmë të konsiderueshme për rindërtimin e Libanit dhe rimëkëmbjen e ekonomisë së tij, si dhe të krijojnë mundësi të reja investimi për të dy vendet.
Nga ana e tij, Izraeli ka shprehur gatishmërinë për t’u angazhuar në negociata të drejtpërdrejta për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura dhe për arritjen e një paqeje të qëndrueshme që garanton siguri dhe stabilitet në rajon.
Ndërkohë, Libani ka theksuar nevojën urgjente për zbatimin e plotë të marrëveshjes për ndërprerjen e armiqësive të nëntorit 2024, duke vënë në pah rëndësinë e integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror. Gjithashtu, Bejruti ka bërë thirrje për armëpushim dhe masa konkrete për të përballuar krizën e rëndë humanitare që vijon si pasojë e konfliktit. (A2 Televizion)